Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit e Kosovës, Arbërie Nagavci, ka bërë një gabim elementar drejtshkrimor në një shkrim të publikuar në “Facebook”.
Ajo shkroi: “Kisha kënaqësinë të marrë pjesë në organizimin e edicionit të parë të Shkollës Ndërkombëtare Verore të Universitetit të Prizrenit.”
Ministrja e shkroi gabimisht foljen “marr”. Në vetën e parë, kjo folje shkruhet pa “ë”.
Gjithashtu, ajo e përdori gabimisht kohën e pakryer – përmes foljes “kisha” – për një veprim të përfunduar në të kaluarën. Në këtë rast, duhet të përdoret koha e kryer e thjeshtë, më saktësisht folja “pata”.
Përpos këtyre gabimeve, ministrja përdori pa nevojë disa fjalë të huaja: “afirmon” (pohoj, përkrah), “aset” (pasuri) dhe “regjion” (rajon).