Sipas dokumenteve të ofruara nga sinjalizuesi i “Krushik”, GIM ishte në mesin e kompanive private që kishte blerë armë me çmime preferenciale nga kjo kompani shtetërore. Kompania GIM ka lidhje me Branko Stefanoviqin, babanë e ministrit serb të Mbrojtjes, Nebojsha Stefanoviqit, i cili atëbotë mbante postin e ministrit të Punëve të Brendshme.
Ministri Stefanoviq i ka mohuar këto akuza dhe ka thënë se babai i tij, tashmë i ndjerë, kurrë nuk kishte qenë i përfshirë në tregti armësh.
Një nga pyetjet që ngrihen në lidhje me eksportin e armëve nga Serbia është se ku përfundojnë ato.
Organizatat ndërkombëtare paralajmëruan Beogradin se këto armë ndonjëherë përfundojnë në duart e ekstremistëve dhe përdoren për sulme ndaj civilëve.
Për shkak të eksportit të armëve ka pasur raste kur raportet diplomatike të Serbisë me vende të caktuara janë dëmtuar.
Raportuesi i OKB-së për të drejtat e njeriut në Mianmar, Tom Andrews, paralajmëroi më 22 shkurt se Rusia, Kina dhe Serbia po vazhdojnë të furnizojnë me armë juntën në Mianmar, duke thënë se këto armë janë përdorur për të sulmuar civilët që nga grusht-shteti në këtë vend.
Junta ushtarake e Mianmarit mori pushtetin përmes grusht-shtetit më 1 shkurt të vitit 2021, duke rrëzuar Qeverinë e zgjedhur të Aung San Suu Kyi.
Gjithashtu sipas një hulumtimi të BIRN-it dhe Qendrës për Gazetari Hulumtuese të Serbisë (CINS), thuhet se Serbia ka eksportuar raketa në vlerë prej 4.7 milionë eurosh në Mianmar në vitin 2021, pas grushtit të shtetit.
Më 23 shkurt, Ministria e Punëve të Jashtme të Serbisë hodhi poshtë akuzat e raportuesit të OKB-së. Në reagim u tha se në mars të vitit 2021, Serbia vendosi që të mos dërgojë armë në Mianmar. Por, në reagim, MPJ e Serbisë nuk përmendi hulumtimin e BIRN dhe CINS.
Në gusht të vitit 2021, organizata për të drejtat e njeriut, Amnesty International (Ai), identifikoi armë të prodhimit serb në videot e publikuara nga grupet e armatosura që veprojnë në rajonin Sahel të Afrikës.
Rajoni Sahel, në Afrikën Perëndimore, gjendet në zonën kufitare midis Malit, Nigerit dhe Burkina Fasos.
Armët serbe kanë përfunduar edhe në duart e anëtarëve të degës së grupit militant, Shteti Islamik (IS).
AI ka identifikuar 12 raste kur luftëtarët në rajonin e Sahelit u panë duke mbajtur armë të reja të prodhuara nga kompania serbe, “Zastava”. Kjo organizatë megjithatë nuk mundi të përcaktojë synimin e eksportit të kësaj arme në këtë zonë. Siç u tha, ndoshta rruga e eksportit u devijua nga grupet e armatosura ose ato u bartën përmes kanaleve të paligjshme ose janë siguruar në fushëbeteja.
Në atë kohë, Ministria serbe e Tregtisë tha për median Nova se pranuesi i fundit i armëve të eksportuara në Burkina Faso më 2020 ishte Ministria e Mbrojtjes së atij shteti dhe shërbimi i sigurisë kombëtare të Burkina Fasos.
Në korrik të vitit 2020, autoritetet e Azerbajxhanit akuzuan Serbinë se ka dërguara mortaja dhe municione në Armeni, përmes territorit të Gjeorgjisë. Autoritetet në Baku pretenduan se këto armë ishin përdorur gjatë konfliktit që shpërtheu më 12 korrik të atij viti midis Azerbajxhanit dhe Armenisë.
Më pas, Serbisë iu kërkua që të jepte shpjegim për këtë gjë dhe të hetonte rastin.
Ndërkohë, Ministria e Punëve të Jashtme të Gjeorgjisë mohoi pretendimet se armët kishin kaluar përmes territorit gjeorgjian.
Ministria serbe e Tregtisë njoftoi se që nga viti 2017, kompanive “Vectura Trans”, “Partizan Tech” dhe “Tastava oruzhje” u janë lëshuar 19 licenca për eksportin e armëve në Armeni.
Pronari i “Partizan Tech” është Slobodan Teshiq dhe ai ka qenë pronar edhe i kompanisë “Vectura Trans” nga marsi deri në dhjetor të vitit 2017.
Ministri i atëhershëm i Tregtisë, Rasim Lajiq, deklaroi për REL-in më 24 korrik se në vitin 2020 Serbia kishte miratuar dy kontrata për eksportin e armëve në Armeni. Sipas tij, bëhej fjalë për municion për pushkë dhe pistoleta.
Zyrtarët në Beograd deklaruan se Armenia nuk ishte shtet nën sanksione dhe se eksporti i armëve nuk ishte i paligjshëm.
Por, sipas Lajiqit, në të ardhmen duhet pasur kujdes që Serbia të mos dëmtojë raportet me Azerbajxhanin.
Në fund të shtatorit, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, mohoi se armët e prodhuara në fabrikat ushtarake serbe ishin përdorur në konfliktin e rajonit të shkëputur të Nagorno Karabakut. Ai tha se të dyja palët kanë përdorur municion të prodhimit vendas që ishin blerë më herët.
“Ne u kemi shitur vetëm municion të dyja palëve sepse kjo lejohej dhe kishim një certifikatë për ‘përdoruesin përfundimtar’. Por, armët, tanket, dronët dhe avionët – asnjëra nga këto nuk janë tonat”, tha Vuçiq për gazetarët.
Armenia dhe Azerbajxhani kanë luftuar për dekada për Nagorno Karabakun, një rajon i banuar me shumicë armene që u aneksua gjatë epokës sovjetike.
Në mars, në portale dhe në rrjetet sociale ruse u publikua një fotografi e një ushtari të të ashtuquajturës “Republika Popullore e Donjeckut” duke mbajtur një minë të pashpërthyer.
Radio Evropa e Lirë erdhi në përfundim se bazuar në shkrimet në minën e fotografuar mina ishte prodhuar në tremujorin e tretë të vitit 2016.
Mina të tilla prodhohen nga fabrika shtetërore e armëve në Serbi “Krushik”, fabrikë që prodhon armë për ushtrinë serbe.
Autoritetet në Serbi më pas njoftuan se nga viti 2014 deri në vitin 2021 nuk ka pasur eksporte të armatimit dhe pajisjeve ushtarake në Ukrainë.
Ministria e Tregtisë së Serbisë tha për REL se në të njëjtën periudhë kohore, Serbia nuk ka eksportuar armë në ndonjë shtet tjetër dhe të njëjtat të kenë pasur destinacion përfundimtar Ukrainën.
Gjatë vitit 2018, armët e prodhuara serbe janë parë në fotografitë e publikuara të dy palëve të përfshira në konfliktin në Jemen. Armët ishin pushkë të prodhuara nga fabrika e armëve “Zastava” nga Kragujevci në Serbinë qendrore.
Këto fotografi janë publikuar në rrjetin social Twitter. REL nuk ka mundur të konfirmojë vërtetësinë e tyre.
Në Jemen, trupat e grupit etnik Huthi, që besohet se mbështeten nga Irani, dhe forcat që kontrollojnë veriun e Jemenit së bashku me kryeqytetin Sana, po zhvillojnë luftime. Këta të fundit mbështeten nga Arabia Saudite.
Jemeni, shtet në jug të Gadishullit Arabik, është nën sanksione nga OKB-ja sa i përket importit të armëve.
“Leje për eksportin në Jemen nuk janë lëshuar”, kishte deklaruar në atë kohë për REL-in Ministria e Tregtisë së Serbisë, institucion përgjegjës për lëshimin e lejeve për eksportin e armëve. Në përgjigje ishte thënë se ministria nuk kishte njohuri se armët e prodhuara në Serbi kanë përfunduar në Jemen.
Gazetarët e BIRN dhe Rrjetit Hulumtues për Krimin e Organizuar dhe Korrupsionin (OCCRP) raportuan në maj të vitit 2017 se një dërgesë me mitraloza të rëndë të tipit “kojot”, të prodhuara nga fabrika shtetërore serbe në Kragujevc, përfunduan në duart e rebelëve sirianë.
Dërgesat e armëve kishin kaluar përmes një tregtari bullgar të armëve dhe kishin përfunduar në një kamp trajnimi në Arabinë Saudite.
Ministria serbe e Tregtisë konfirmoi raportimet e BIRN dhe OCCRP se blerësja e armëve ishte një kompani bullgare, por se destiancioni përfundimtar i dërgesës ishte Ministria e Mbrojtjes së Arabisë Saudite.
Atëbotë, kjo ministri deklaroi për agjencinë Beta se nuk kishte asnjë ndalim sa i përket eksportit të armëve për në Arabinë Saudite dhe tha se certifikatat origjinale ishin garanci e mjaftueshme, përfshirë edhe certifikatën që thoshte se “mallrat nuk do të rieksportoheshin pa marrë pëlqimin e autoriteteve kompetente” të Serbisë.
Po ashtu, më 2013, kjo ministri njoftoi se kishte revokuar një leje për eksportin e armëve në Arabinë Saudite dhe se këtij shteti i ishin refuzuar katër kërkesa për blerjen e armëve.
Në vitin 2018, kryediplomati i atëhershëm i Kosovës, Behgjet Pacolli, deklaroi se Serbia po u shiste apo po u jepet armë shteteve të caktuara si mjet diplomatik kundër pavarësisë së Kosovës. Pacolli tha se bëhej fjalë veçmas për shtetet afrikane.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i hodhi poshtë pretendimet e Pacollit duke thënë se “ne nuk japim armë”. Ai po ashtu kishte deklaruar se Serbia do të shesë edhe më shumë armë kudo që i lejohet. Vuçiq po ashtu kishte reaguar edhe ndaj akuzave se “pushkë serbe” janë parë në disa vende të diskutueshme.
“Unë kam parë kudo pushkë amerikane, kudo që ka luftë shoh pushkë amerikane, municione çeke”, deklaroi Vuçiq.
Si presidenti serb ashtu edhe Ministria e Mbrojtjes kanë deklaruar se Serbia do të eksportojë armë për këdo që është përdoruesi përfundimtar i autorizuar, në përputhje me ligjet vendore dhe ndërkombëtare.
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, rreth 22.000 persona janë të punësuar në industrinë serbe të mbrojtjes.