Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, s’ka dashur të komentojë mbi çështjen e hapur së fundi nëse duhet të hiqet udhëzimi administrativ që ndalon bartjen e shamisë në shkolla.
Në një përgjigje për Gazetën Express, Abdixhiku tha se kjo është temë pa relevancë që është prodhuar nga vetë pushtetit për të kamufluar “paaftësinë politike”.
Nuk e kam ndërmend të merrem me tema irrelevante që prodhohen nga vet pushteti për të mbuluar paaftësinë qeverisëse të Kurtit”, tha Abdixhiku.
Ai tha se partia e tij ka tjetërkund vëmendjen.
“Për LDK-në, brengë mbetet rritja e alarmante e çmimeve prej 14.2% brenda një viti. Brengë mbetet kriza e madhe energjetike e dimrit dhe mosveprimi i Qeverisë karshi kësaj krize. Brengë mbetet bllokimi investiv i Kosovës dhe mungesa e projekteve kapitale si asnjëherë më parë – janë ministri të tëra me zero përqind realizim. Brengë mbetet neglizhimi alarmant i shëndetësisë e mosfurnizimi i spitaleve tona me barna bazike. Këto janë brengat e qytetarëve tanë dhe këtu do të mbajmë diskursin tonë politik”.
Për këtë çështje sot është deklaruar kryeministri Albin Kurti në një konferencë për media, duke thënë se s’duhet të ketë ndalim për bartjen e shamisë në shkolla, por shtoi se e konsideron moshën 16 vjeçare si prag të kësaj.
Ndërkohë në rrjetet sociale ka filluar një fushatë pro shfuqizimit të udhëzimit administrativ që ndalon bartjen e uniformave fetare në shkolla. Ministria e Arsimit dje në një njoftim për media ka thënë se për vitin e ri shkollor njoftoi do t’i përmbushin “të gjitha obligimet ligjore dhe të sigurohemi që çdo fëmijë të jetë në bankat shkollore”.