Zemaj: Vetëm Qeveria dhe Latifi s’po e shohin dështimin e thellë në shëndetësi

Deputeti i Lidhjes Demokratikes të Kosovës, Armend Zemaj, ka thënë se për dy muaj 108 profesionistë shëndetësorë janë larguar nga vendi, duke përfshirë 36 specializantë, e për këtë dhe një listë të gjatë kritikash për sektorin e shëndetësisë, Zemaj ka fajësuar Qeverinë. Në një shkrim në Facebook, ish-ministri i Shëndetësisë ka thënë se “është e frikshme se si vetëm ministri i Shëndetësisë dhe Qeveria e tij s’po e sheh dështimin e tyre të thellë në shëndetësi”.

Sipas tij, Qeveria po vazhdon t’i trajtojë me lëmoshë profesionistët shëndetësorë.

“Paaftësia qeverisëse dhe mashtrimi i lë qytetarët pa shërbime shëndetësore. Me pak se 4 javë kemi mbi 30000 raste me Covid-19, apo 1,154 të infektuar në ditë. Vetëm për këto ditë kemi 33 jetë të humbura të qytetarëve nga Covid-19. Ky rezultat është në vazhdën e dështimeve të paaftësisë qeverisëse, e cila mendonte se mund ta menaxhoj online pandeminë si dhe online sektorin e shëndetësisë. Është kjo Qeveri që profesionistët shëndetësorë vazhdon t’i trajtojë me lëmoshë, gjersa vetëm për dy muaj 108 profesionistë shëndetësorë kanë lënë vendin, ndër ta edhe 36 specializantë”, ka shkruar ai në Facebook të enjten.

Deputeti i LDK-së tutje akuzoi Qeverinë për mosvazhdimin e kontratave të mbi 1.200 pjesëtarëve të stafit mbështetës në luftën kundër pandemisë. “Në vetëm këto javë të kësaj Qeverie, janë stërzgjatur listat e pritjes së qytetarëve për të marrë shërbimet shëndetësore, duke mbërritur deri në mesin e vitit 2023”.

Zemaj gjithashtu shkroi se me këtë Qeveri po mungojnë edhe shumë medikamente esenciale.

“Në vetëm këto javë të kësaj Qeverie, si shumë medikamente të tjera, po mungon edhe medikamenti “Pembrolizumab” e që janë esenciale për pacientet të sëmurë me kancer, ndërsa pritja për t’i marrë është nën mëshiren selektive të përzgjedhjes”, ka shkruar Zemaj.

Në vetëm këto javë të kësaj Qeverie, sipas Zemajt që iu referua KDI-së, Ministria e Shëndetësisë paguan 280% më shtrenjtë 1gr paracetamol për injeksion në krahasim me vlerën e tregut me pakicë.

“Edhe në këto javë të kësaj Qeverie vazhdon të dominojë arroganca, mosveprimi, propaganda, jo dëgjueshmëria profesionale, tipare këto të qeverisjeve të paafta dhe populiste. Në vetëm këto javë të kësaj Qeverie, përkundër të gjithave e gjithçkaje, ne si parti opozitare kemi ofruar Ligjin për Shëndetësinë, në mënyrë që t’ju dalim në mbrojtje qytetarëve dhe profesionistëve shëndetësorë, ndërsa si kundërpërgjigje kemi marrë padëgjueshmërinë. Këto janë vetëm disa nga dështimet e fundit të kësaj Qeverie, që e bëjnë epilogun e tmerrshëm në fushën e shëndetësisë, ku burim parësor definitivisht e kanë paaftësinë”, thuhet ndër të tjera në shkrimin e Zemajt.