Serbia e ka bllokuar zbatimin e udhërrëfyesit, kurse KOSTT ka përgatitur të gjithë dokumentacionin për nënshkrim.
Ambasadorët e QUINT-it, përveç aspekteve politike të dialogut, janë interesuar edhe për zbatimin e udhërrëfyesit për energjinë.
Por, për të filluar zbatimi i pagesave të energjisë elektrike nga konsumatorët në pjesën veriore të Kosovës, zyrtarët e KOSTT-it kanë thënë për RTK-në se brenda shtatë ditësh nga lëshimi i licencës për furnizim, Elektroseveri është dashur t’ua sigurojë KEDS-it dhe KOSTT-it të dhënat më të fundit të disponueshme për konsumatorët, por një gjë të tillë ende nuk e ka bërë.
Edhe Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut është në pritje që Serbia t’i zbatojë pikat e udhërrëfyesit për zbatimin e Marrëveshjes për Energjinë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Brenda shtatë ditëve nga lëshimi i licencës për furnizim, Elektroseveri është dashur t’ua sigurojë KEDS-it dhe KOSTT-it të dhënat më të fundit të disponueshme për konsumatorët, por një gjë të tillë ende nuk e ka bërë. Ndërsa, brenda 10 ditëve nga lëshimi i licencës për furnizim, Elektroseveri është dashur t’i nënshkruajë teknikalitetet e nevojshme të marrëveshjes me KOSTT-in, por as kjo pikë nuk është zbatuar nga ana e Elektroseverit.
Por, a është përgatitur KOSTT-i për ta zbatuar këtë pikë?
Marrëveshjet janë nënshkruar nga ana e KOSTT-it dhe janë dërguar për nënshkrim te Elektrosever në afatin e paraparë sipas udhërrëfyesit, por marrëveshjet e nënshkruara nga ana e KOSTT në përputhje me format standarde të aprovuara nga ZRRE, ende nuk i kemi pranuar të nënshkruara nga ana e Elektrosever. Në KOSTT nuk ka informatë zyrtare nëse Elektrosever ka aplikuar për t’u pajisur me kodin e identifikimit të energjisë. Ndërsa, në përputhje me artikullin 14 të Marrëveshjes së Energjisë, brenda 30 ditëve nga nxjerrja e licencës për furnizim, KEDS dhe KOSTT është dashur të kenë qasje në nënstacionin e Valaqit.
KOSTT është në pritje të sigurimit të qasjes fizike në nënstacionin 110/35 kV Vallaq për personat e autorizuar. Pas miratimit të udhërrëfyesit….KOSTT ka themeluar Grupin Punues dhe ka njoftuar ZRRE-në në lidhje me autorizimet për qasje dhe analizë. KOSTT gjithashtu ka përgatitur planin aksional, përfshirë veprimet konkrete të nevojshme rreth qasjes fizike dhe analizave të gjendjes së aseteve të transmetimit të KOSTT në pjesën veriore të Sistemit të Transmetimit të Kosovës.
Nga ana tjetër, në takimin që gjatë ditës ambasadorët e QUINT-it zhvilluan me kryeministrin Kurti, ku prezentë ishin edhe zv. kryeministri Besnik Bislimi, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli dhe ministri i Financave, Hekuran Murati, u diskutua për marrëveshjen mbi zbatimin e udhërrëfyesit të energjisë, si dhe për zbatimin e marrëveshjes me ENTSO-E dhe rëndësinë që ka kjo për sovranitetin e vendit.