Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, për herë të parë, këtë vit fillon me zbatimin programit për Diplomaci Qytetare. Zyrtarë nga kjo ministri thonë se projekti synon që për gjashtë muaj, të angazhohen disa të rinj nga diaspora, të cilët pritet të kontribuojnë në zhvillimin e diplomacisë publike, të diasporës dhe asaj ekonomike.
Numri i bashkatdhetarëve që jetojnë jashtë Kosovës, e që këto ditë janë për pushime në atdhe, edhe këtë vit është shumë i lartë.
Mërgata jonë, si një aset i rëndësishëm, në vazhdimësi ka dhënë e vazhdon të jep kontribut për zhvillimin dhe fuqizimin e shtetit të Kosovës, përfshirë edhe në fushën e diplomacisë.
E me qëllim që dijet dhe përvojat e të rinjve që jetojnë në mërgim të përdoren edhe në diplomaci, nga ky vit, Ministria e Jashtme, për herët të parë fillon zbatimin programit për Diplomaci Qytetare.
Anell Bajra, zyrtar përgjegjës për zbatimin e këtij programi, tregon për Radio Kosovën synimet që pritet të arrihen me këtë nisme.
“Projekti synon që t’i angazhoj disa profesionistë të rinj nga diaspora, për një periudhë kohore gjashtëmujore”, thotë Bajra.
Sipas tij, qëllimi kryesor është që t’i ndërlidhë ata profesionistë që të vijnë në Kosovë, t’i sjellin përvojat dhe njohuritë e tyre, në kuadër të Ministrisë së Punëve të Jashtme e Diasporës, që të kontribuojnë në diplomacinë publike, diplomacinë e diasporës dhe atë ekonomike.
Bajra tregon se numri i përfitueseve të bursës këtë vit do të jetë 10, ndërsa ky numër planifikohet të jetë më i madh viteve në vijim.
“Thirrja për aplikim që është hapur më 26 korrik do të zgjasë deri më 24 gusht”, thotë tutje Bajra, teksa tregon disa nga kriteret kyçe për aplikim.
“Të drejtë aplikimi kanë prestarët e diasporës që jetojnë jashtë vendit apo që kanë origjinë nga Republika e Kosovës”, shpjegon bajra për radio Kosovën.
“Duhet të jenë të sapo diplomuar në tre vitet e fundit, në nivel bachelor, master apo doktoratë”.
Ai tregon se të drejtë aplikimi kanë edhe studentët që janë në vitin e fundit të studimeve bachelor ose në vitin e parë të atyre master.
“ Duhet të njohin gjuhën angleze në nivel të lartë, për arsye se ata do të krijojnë përmbajtje për imazhin e Kosovës, për jashtë vendit, prandaj njohja e saj është kriter bazë”.
“Kandidatët që do të njohin çfarëdo gjuhe të dytë tjetër do të kenë përparësi”, thotë Bajra.
Zbatimi i programit për Diplomaci Qytetare planifikohet të fillojë më 3 tetor të këtij viti dhe do të zgjas deri në mars të vitit 2023. Të rinjtë që përfitojnë bursën e këtij programi do të angazhohen në kuadër të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, në Prishtinë.