Në orët e mbrëmjes pritjet më të mëdha për hyrje-daljen e qytetarëve në pikat e kalimeve kufitare shënohen serish te Dheu i Bardhë.
Në këtë pikë për të hyrë në territorin e Kosovës duhet pritur 15-20 minuta, ndërsa kolona është e gjatë 100-150 metra. Edhe në dalje të kësaj pike të kalimit kufitar ka kolona deri në 300-350 metra dhe pritjet janë nga 30 deri në 40 minuta.
Në pikat e tjera të kalimeve kufitare nuk ka kolona dhe pritjet janë kryesisht nga 3 deri në 15 minuta.
Duhet përkujtuar që numër i madh i mërgimtarëve kanë ardhur në Kosovë edhe këtë verë.
Të njëjtit në shumë raste zgjodhën rrugët tokësore, por nuk munguan edhe ata që në vendlindje erdhën përmes linjave ajrore.
Si edhe çdo verë tjetër, mërgimtarët në fund të gushtit veçse largohen drejt vendeve të shumta të Evropës, për të ardhur sërish në sezonin e dimrit apo atë të verës së ardhshme.