Erdogan e Putin takohen për herë të dytë brenda një muaji

Presidenti rus, Vladimir Putin do të takohet më 5 gusht me homologun e tij turk, Rexhep Tajip Erdogan, në vendin turistik Soçi, në Detin e Zi.

Ky është takimi i dytë mes tyre në më pak se një muaj. Ata u takuan më 18 korrik.

Përfundimi i luftës në Ukrainë dhe perspektiva e një inkursioni turk në Siri pritet të dominojnë bisedimet mes liderëve.

Erdogani ka arritur një sukses diplomatik me ndihmën për arritjen e një marrëveshjeje të ndërmjetësuar nga OKB-ja për të rifilluar dërgesat e grurit ukrainas nëpër Detin e Zi.

Udhëheqësi turk është munduar të përdorë marrëdhëniet e tij të mira edhe me Ukrainën edhe me Rusinë për të luajtur rol në përfundimin e luftës së nisur nga Kremlini më 24 shkurt.

Inkursioni i planifikuar ushtarak i Ankarasë për të sulmuar forcat kurde në Sirinë veriore do të jetë gjithashtu në krye të axhendës, njoftoi transmetuesi shtetëror turk TRT.

Moska, e cila ka mbështetur presidentin Bashar al-Assad në luftën civile në Siri, kohët e fundit e kishte këshilluar kundër një ofensive të tillë.

Ankaraja i sheh trupat kurde siriane të mbështetur nga SHBA-ja, Njësitë e Mbrojtjes së Popullit (YPG), një grup terrorist dhe dyshon se janë të lidhura me kryengritësit vendas.

Një ofensivë turke në veri të Sirisë është pezulluar që nga viti 2019 pas dy marrëveshjeve të armëpushimit të ndërmjetësuara nga Uashingtoni dhe Rusia.

Sipas Kremlinit, shitja e mundshme e dronëve luftarakë pa pilot nga Turqia anëtare e NATO-s, në Rusi është gjithashtu në axhendë.

Ushtria ukrainase ka përdorur dronët Bayraktar kundër forcave ruse që nga fillimi i pushtimit në shkurt.