Sa herë që përmendet Veriu e Milan Radojiçiq në Kuvend, është lehtë e parashikueshme çfarë do t’i thotë Albin Kurti, Ramush Haradinajt. Si kandidat për Kryeministër, Haradinaj, e kishte takuar Radojiçin publikisht në një restorant të Prishtinës, e më pas ia kishte hapur dyert edhe në Kryeministri atij që njihej si shefi i “nëntokës” në veri. Si i arsyetonte Haradinaj takimet me serbin që ka përfunduar në listën e zezë të Amerikës.
Kryeministri Albin Kurti vazhdon t’i përmend Ramush Haradinajt takimet dhe miqësinë me Milan Radojciqin, sa herë që ish-kryeministri e akuzon për qasjen kundrejt Serbisë dhe Listës Srpska.
Kjo histori nisi vite më parë, kur Ramush Haradinaj e mbante afër Milan Radojciqin, një serb të lindur në Gjakovë, që thuhej se kontrollon veriun.
Haradinaj, kishte dalë në drekë, në mes të Prishtinës, me Radojciqin. Atë kohë, Radojciq doli nga “nëntoka” dhe u bë nënkryetar i Listës Serbe, partisë së dirigjuar nga Beogradi që përfaqëson politikisht serbët e veriut në institucione.
Mes kritikave se po takonte një fytyrë të dyshimtë, ish-kryeministri shkoi edhe një hap tjerër për ta rikonfirmuar raportet e mira që i kishte me Radojciqin. Në një ditë vere të 2018-s, Radojciqi u prit nga Haradinaj në Zyren e Kryeministrit të Kosovës.
Për shumë gjatë ishte komentuar që Radojqiq, jo që ishte pritur në zyrë të Kryeministrit të Kosovës, por ai ishte ulur në vendin kryesor si nënkryetar i partisë, e pastaj kryetari në rend të dytë.
Kryeministria pati dalë me një njoftim për takimin, ku thuhej se aty “u diskutua për situatën e përgjithshme në vend, me theks të veçantë për aspektet e sigurisë si dhe zhvillimit ekonomik e social”.
Ndaj Radojciqit ishte lëshuar urdhërarrest, nën dyshimet për vrasjen e politikanit serb, Oliver Ivanoviq në janar të 2018-s.
Një vit më vonë, Haradinaj thoshte se me Radojciqin ka bashkëpunuar zyrtarisht dhe se më nuk kishte komunikim me të.
“Kam punu me Radoiçiqin si zyrtar i Listës Serbe, ashtu qysh kam punu me zyrtarët e tjerë të Listës Serbe. Nuk kam mundësi me pasë komunikim me Radoiçiq, sepse ai është në kërkim”.
Radojciq në dhjetor të 2021-ës është futur në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Dhe, Haradinaj këtë e kishte quajtur lajm të shkëlqyshëm.
“Vendimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për sanksionimin e krerëve të krimit të organizuar në Kosovë është lajm i shkëlqyeshëm për Kosovën”, thuhej në reagimin e Haradinajt.
Përvec kritikave të opozitës dhe shoqërisë civile, shefin e Qeverisë për takimin me Radojciqina e kishte thumbuar edhe Presidenti Hashim Thaci, me të cilin i kishin prishur raportet për shkak të disa qëndrimeve.
“Tash në këtë moment shumë të rëndësishëm që kemi për liberalizimin e vizave por edhe për t’ju komunikuar dhe shërbyer të gjithëve, natyrisht se çdo përfaqësi politike që kërkon takim me presidencën, verifikohet përbërja e delegacionit kështu që ata që kanë problem me ligjin nuk mund të jenë prezent në takimet që mban presidenti i vendit, pavarësisht nga etnia që ka”, kishe deklaruar Thaci, menjëherë pas pritjes që Haradinaj ia bëri Radojciqit.