Presidenti Ademi priti drejtuesin e Illyrian FC nga Londra

Presidenti Agim Ademi ka pritur sot bashkëthemeluesin e klubit shqiptar në Londër, Illyrian FC, Arbër Berisha.

Ky i fundit ka paraqitur nevojën e bashkëpunimit me FFK-në, duke pasur parasysh faktin se ky klub është themeluar rishtazi në vitin 2021.

Ai e ka njoftuar presidentin Ademi me mënyrën e organizimit të këtij klubi si dhe suksesin e arritur qysh në vitin e parë të garave, kur nga niveli i 12-të garues kanë arritur të promovohen në nivelin e 11-të të futbollit anglez.

Ai ka thënë se kanë bashkëpunim edhe me FSHF-në dhe tani duan që partneritetin ta shtrijnë edhe me FFK-në, pasi synimi i tij dhe i bashkëthemeluesit Admir Xheviti është që ky klub të arrijë në nivelin e 9-të të garave, e ku më pas do ta fitonin të drejtën e pjesëmarrjes edhe në garat e FA Cup.

Gjatë këtij takimi u diskutua për format e bashkëpunimit dhe u dakordua që nga viti i ardhshëm turneu “Adem Jashari” në Londër të organizohet bashkë me FFK-në dhe FSHF-në.

Po ashtu, në bashkëpunim me Illyrian FC, FFK do të organizojë edhe Kampin e grumbullimit të talenteve të reja në Mbretërinë e Bashkuar, derisa në shenjë mirënjohje FFK do të ndajë edhe nga një plaketë dhe dhuratë për lojtarin më të mirë të muajit të Illyrian FC.

Presidenti Ademi theksoi se FFK në vazhdimësi është treguar përkrahëse e bashkatdhetarëve tanë dhe klubeve shqiptare kudo që veprojnë dhe njëjtë do të veprojë edhe me Illyrian FC, teksa paralajmëroi se do ta vizitojë këtë klub në muajin nëntor.