Lista Serbe: Qëllimi ynë është ta rrëzojmë Qeverinë Kurti

Lista Serbe, është duke u angazhuar për rrëzimin nga pushteti kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Përmes një postimi në llogarinë e saj në Facebook, kjo parti thotë se Qeveria Kurti po punon kundër interesave të popullit serb.

“Lista Serbe nuk bashkëpunon me Qeverinë e Albin Kurtit, sepse ajo punon kundër interesave të popullit serb dhe se qëllimi ynë politik është të rrëzojmë Albin Kurtin nga pushteti, që është në interes të të gjithëve që duan të jetojnë në paqe në këto zona”, tha Lista Serbe.

Reagimi vie pas deklaratave të bëra nga ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla.

Sveçla në një intervistë për Radio Televizionin e Kosovës, deklaroi më 2 gusht se Lista Serbe është e “devalvuar politikisht” dhe tha se në ekzekutiv nuk ka as vullnet për të bashkëpunuar me këtë parti, pasi tha se ajo bashkëpunon me grupe kriminale.

Sveçla, po ashtu tha se nënkryetari i kësaj partie, Milan Radoiçiq, nuk gjendet në veri të Kosovës.

Sipas tij, Radoiçiq në fillim të korrikut ka incizuar një video në veri të Kosovës dhe më pas ka dalë nga territori i shtetit.

Ndryshe, LVV nuk ka marrëveshje koalicioni me Listën Serbe, por sipas Kushtetutës, kjo parti merr pjesë në ekzekutiv, duke udhëhequr me Ministrinë për Komunitete dhe Kthim.

Lista Serbe nuk e ka votuar Qeverinë e Kurtit, në seancën e mbajtur më 22 mars të vitit 2021./Telegrafi/