Partia në pushtet po konsideron se Kosova është shumë afër heqjes së vizave. Kështu u tha në debatin parlamentar të ftuar nga AAK për mos liberalizimin e vizave nga ana e Bashkimit Evropian. Për mos lëvizjen e lirë të qytetarëve të Kosovës, deputeti Armend Zemaj nga Lidhja Demokratike e Kosovës ka deklaruar se nuk është fajtor vetëm BE.
Ky i fundit në seancë plenare deklaroi se liberalizimi i vizave është meritor për qytetarët e Kosovës.
“Në këtë padrejtësi të madhe të qytetarëve tanë, të cilët po mbahen të izoluar dhe nuk mund të lëvizin lirshëm drejt vendeve të BE-së, me një fjalë nuk mund të fajësojmë vetëm Bashkimin Evropian. Sepse, është e qartë dhe e ditur edhe këtu edhe botërisht që ne e kishim një mundësi të artë në vitin 2015-2016, kur Kosova ishte me një pako me Gjeorgjinë dhe Ukrainën për të marrë liberalizimin e vizave. Por të gjithë e dinë që kjo u pamundësua nga disa figura po ashtu që sot janë në krye të shtetit, dhe nga disa zyrtarë të tjerë në pengesën që iu bë ratifikimit të marrëveshjes me demarkacionin me Malin e Zi”, ka shtuar ai.
Ai përmendi edhe hedhjen e gazit lotsjellës dhe dhunën e shprehur në Kuvend nga partia që sot është në pushtet.Ndërkaq, në emër të Lëvizjes Vetëvendosje, deputetja Arbëreshë Kryeziu ka deklaruar se ky debat parlamentar nuk është ftuar në kohë të përshtatshme, meqë sipas saj Kosova është afër heqjes së vizave.
“Duke thirrur një debat parlamentar për të folur për mosliberalizim të vizave, po harrojmë ta përmendim një fakt: Kurrë Kosova nuk ka qenë më afër heqjes së vizave se sa që jemi sot. Kurrë nuk është punuar më shumë. Asnjëherë tjetër nuk janë shënuar kaq rezultate pozitive për vite të tëra sa janë shënuar përgjatë kësaj qeverisje një vit e pak muaj. Ne nuk duam ta mashtrojmë popullin, nuk kemi dhënë asnjëherë muaj e data, sepse mendojmë që kanë qenë të mashtruar për vite. Por, po punojmë fuqishëm, ekzekutiv dhe legjislativ, që ky proces një herë e mirë të marrë epilog. Këtu unë iu bëj thirrje që të bashkohemi pozitë e opozitë, sepse do të përfitojmë njëjtë, si pozita si opozita”, ka deklaruar ajo.
Po ashtu, ajo ka shtuar se asnjë shtet i Bashkimit Evropian nuk është kundër lëvizjes së lirë për qytetarët e Kosovës, për çka tha se edhe reflektimi i Francës është i dukshëm.
Në emër të Partisë Demokratike të Kosovës, Elmi Reçica u shpreh se agjenda e integrimit evropian nuk është vetëm liberalizimi i vizave.
“Në emër të Grupit Parlamentar edhe një herë deklaroj që ne jemi të gatshëm dhe jemi në mbështetje të proceseve sa i përket agjendës evropiane dhe liberalizimit të vizave. Do të duhej e njëjta gjë të ndodhë edhe nga Qeveria e Kosovës, konkretisht nga zëvendëskryeministri që është përgjegjës për agjendë evropiane dhe i cili do të duhej të ketë në konsideratë edhe pjesën e opozitës. Sepse e dimë dhe është e dëshmuar që pa një koordinim të ndërsjellë është e pamundur të lëvizim këtë proces shumë të rëndësishëm”, ka shtuar ai.
Deputeti Pal Lekaj tha se propozimi i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës është alternativë e vetme për ndërtimin e platformës nacionale.
“Është mundësi për të ndërtuar platformë nacionale në zhvillimet më të rëndësishme për vendin tonë, është domosdoshmëri politike, ekonomike dhe shoqërore. Është mundësi për të mbrojtur dinjitetin e vendit tonë dhe qytetarit të cilin e përfaqësojmë. Është alternativë e vetme që të ndërtojmë strategji, të cilës duhet secili t’i përmbahemi deri në realizimin e plotë të saj. Ashtu siç bëmë me udhëzuesin për vizat që na ofruan të tjerët për ne”, ka deklaruar ai.
Qytetarët e Kosovës janë të vetmit në rajon që nuk mund të lëvizin lirshëm në vendet e Bashkimit Evropian.