Mediu: Takimi i Vuçiqit me ushtrinë, paralajmërim për një agresion të mundshëm ushtarak

Kryetari i Partisë Republikane të Shqipërisë, Fatmir Mediu ka reaguar në lidhje me sulmet e organizuara nga Serbia në veri të Kosovës pas vendimit për reciprocitet rreth dokumenteve të udhëtimit ditën e djeshme.

Sipas Mediut, veprimet e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, janë të koordinuara me homologun e tij rus, Vladimir Putin, për të krijuar vatra të reja tensioni në Ballkan.

“Bashkërendimi i Serbisë dhe Rusisë për të krijuar vatra të reja tensioni në Ballkan është tashmë një fakt i provuar, çdo hap i Vuçiqit është në koordinim me Putinin”, ka shkruar Mediu në Facebook.

Madje ai shkon edhe më tutje, duke komentuar takimin e Vuçiqit me krerët e Ushtrisë serbe, duke thënë se “takimi i Vuçiqit me Shtabin e ushtrisë Serbe nuk është një teatër por paralajmërim për një agresion të mundshëm ushtarak”.

Mediu ka bërë thirrje që Shqipëria ta trajtojë me seriozitet maksimal këtë çështje në Këshillin e Sigurimit në Kombet e Bashkuara dhe NATO, si një kërcënim për rajonin e Ballkanit dhe jo vetëm Kosovën, duke shtuar më tej se Kosova e ka për detyrë zbatimin e reciprocitetit.

“Komunikimi me drejtues të vendeve të tjera të NSTO-s në rajon që ndajnë të njëjtin shqetësim për sjelljen e Serbisë dhe Rusisë, veçanërisht me Malin e Zi dhe Kroacinë, është më se i nevojshëm për ta prezantuar këtë çështje me seriozitet në plan rajonal”, potencoi kreu i PR-së, Fatmir Mediu.