Vendimi i qeverisë shqiptare: Dy ditë pushim për punonjësit e administratës që dhurojnë gjak

Ministrja e Shëndetësisë së Shqipërisë, Ogerta Manastirliu, tha se qeveria ka marrë një vendim që u ofron punonjësve të administratës dy ditë pushim sa herë që dhurojnë gjak. Nisma, sipas Manastirliut bëhet për të ndihmuar sidomos fëmijët talasemikë, që kanë nevojë të vazhdueshëm për gjak.

“Për ata të cilët që dhurojnë vullnetarisht gjakun, do të ketë disa incentiva i këtij akti human dhe përgjegjësi qytetare. Për të gjithë ata që do të jenë vullnetarë të dhurimit të gjakut parashikohet që të jetë pushim ditën që dhuron gjak dhe ditën e nesërme, duke u paguar rregullisht”, tha ministrja.

“Për ata që do të dhurojnë gjakun minimalisht 3 herë në vit, do të kenë mundësi që të mund të pushojnë në shtëpitë e pushimit të Ministrisë së Brendshme dhe të Mbrojtjes për 7 ditë, sipas një kalendari të hartuar më parë”.

Sipas Manastirliut, nisma do të rrisë numrin e personave që do të dhurojnë gjak, jo vetëm gjatë fushatave, shkruan A2.