Hoti: Qeveria ka 210 milionë euro tepër në bankë, në vend të vënies në qarkullim ato po i devalvon inflacioni

Ish-kryeministri Avdullah Hoti po e kritikon Qeverinë Kurti se po i mban 210 milionë euro pa asnjë nevojë në bankë në vend se t’i vendosë në qarkullim në një kohë kur inflacioni është i lartë.

Për këtë, Hoti tha se ekonomistët e Qeverisë duhet të kenë përgjigje.

“Bilanci bankar i Qeverisë më 30 qershor 2022 ka arritur gati 600 milionë euro, që është afër 7% e Produktit të Brendshëm Bruto (PBB). Kjo është shumë përtej kufirit të bilancit bankar të nevojshëm që duhet të ketë Qeveria për të qenë mjaftueshëm likuide, që është rreth 4.5% e PBB-së apo rreth 390 milionë euro. Ky nivel ka i lartë i bilancit bankar nënkupton se Qeveria po mban rreth 210 milionë euro pa asnjë nevojë, të cilat mjete po devalvohen edhe nga inflacioni i lartë. Sikur këto mjete të qarkullonin në ekonomi, ato do të multiplikoheshin dy deri në tre herë, duke rritur kështu kërkesën agregate dhe rrjedhimit të ardhurat, konsumin dhe punësimin”.