Me 17 vota pro, asnjë kudër e asnjë abstenim të Asamblesë Komunale, ka kaluar propozimi për emërimin e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Lipjan, me emrin e doktorit të ndjerë “Mejdi Zejnullahu”.
Propozimi për këtë emër ka ardhur nga punonjësit mjekësor të QMF-së Magurë, të cilët kanë iniciuar peticion për këtë çështje të cilin e kanë nënshkruar 174 punëtorë shëndetësorë të krejt Lipjanit.
Propozimin në Asamble e bëri drejtori i Shëndetësisë, Shkëlzen Hajdini i cili tha se Zejnullahu ka dhënë kontribut të çmuar që nga vitet e hershme të tij, por edhe gjatë kohës së luftës dhe pas saj për popullin lipjanas.
Por Alban Salihu, shef i asamblistëve të Vetëvendosjes ka kritikuar pushtetin lokal se po tenton që emrat e figurave që kanë qenë në LDK t’i vendos në institucione publike dhe sipas tij, sikur për QKMF, kështu është vepruar edhe nëpër rrugë e institucione tjera në Lipjan. Edhe kryeasamblisti nga PDK, Arsim Jashari është ankuar pse nuk u kanë ardh më shume propozime në asamble dhe se sipas tij, Lipjani ka edhe doktorë tjerë qe kanë kontribuar para, gjatë e pas luftës, pa kontestuar profesionalizmin e punën e mjekut të ndjerë, por siç tha ai, ‘ajo të bëhet me debat të hapur dhe në një tjetër rast’.
Kryetari Imri Ahmeti theksoi se atij i ka ardhur në zyrë ky peticion dhe si të tillë nuk mund ta injorojë dhe duhet trajtuar konform rregullit që ekziston dhe sipas tij, me këtë emërim po nderohet e tërë gjenerata e asaj kohe e doktorëve. Ai tha se është në dorën e asamblistëve për ta votuar apo jo këtë emër derisa apeloi që kjo të mos shfrytëzohet për poena politike.
Pas diskutimeve u hodh në votim ku 17 asamblistë të shumicës – LDK u miratua emërimi i QKMF-së me emrin e ri, derisa këshilltarët e opozitës lëshua sallën dhe nuk morën pjesë në votim.