Takimi i krerëve të shtetit, Kryeministrit Albin Kurti dhe Presidentes Vjosa Osmani në SHBA, u mirëprit në Kosovë. Ndërkaq, opozita kishte sërish kritikat e saj.
Megjithatë nga njohës të ҫështjeve politike, ky takim u vlerësua si shumë i rëndësishëm dhe i vlefshëm për Kosovën.
Pra, cila është rëndësia e këtij takimi sa i përket imazhit të Kosovës? A i shuan ky takim komentet e ndryshme për Kurtin “antiamerikan”?
Lidhur me këtë ҫështje ka folur analisti politik, Faton Mehmeti. Ai thotë se ky takim është me shumë rëndësi, duke qenë se marrëveshja e MCC është më e rëndësishma dhe më e vlefshme në historinë e energjetikës në Kosovë.
“Kosova po pranon investimin më të madh të saj në histori e që është pikërisht me SHBA. Në këtë kuptim, edhe takimi me z.Blinken është më rëndësi si në fushën politike ashtu edhe ekonomike. Kosova po tregohet partner me SHBA, jo vartëse dhe peshë për SHBA. Ata që e quanin Kurtin “antiamerikan” janë hajnat që në emër të luftës dhe ‘adhurimit’ për SHBA kanë vjedhur shtetin ditë e natë. Takimi me z.Blinken ua mbylli gojën dashakëqinjve të Kosovës dhe qeverisjës së mirë”, vlerëson Mehmeti.