Çfarë duhet të dini për marrëveshjen e eksportit të grurit në mes Rusisë dhe Ukrainës

Sipas mediave perëndimore, Turqia ka thënë se është arritur një marrëveshje me Rusinë për të lejuar Ukrainën për të transportuar grurin nëpërmjet Detit të Zi, shkruan BBC.

Ukraina është një nga prodhuesit më të mëdhenj të grurit në botë, por Kievi thotë së marina ruse po pengon eksportin e saj.Rusia mohon këto akuza, duke thënë se Ukraina duhet t’i deminojë ujërat.

Mungesa e grurit ukrainas që nga pushtimi rus i 24 shkurtit ka lënë miliona njerëz duke rrezikuar urinë.

Disa shtete në Lindjen e Mesme dhe në Afrikë janë goditur nga mungesat. Libia dhe Eritrea marrin më shumë se 40% të grurit nga Ukraina, kurse Libani 81%.

Nëse pajtimi arrihet sipas planifikimit, kjo do të ishte marrëveshja e parë domethënëse në mes Rusisë dhe Ukrainë që nga fillimi i pushtimit.

Por në anën tjetër, zyrtarët ukrainas kanë paralajmëruar se Moska mund të tentojë “ndryshime të minutës së fundit” teksa kjo marrëveshje pritet të nënshkruhet të premten.

“Ne nuk i besojmë fare Rusisë, prandaj le të presim deri nesër për një vendim të fundit dhe që të mos ketë ndonjë zbrapsje të minutës së fundit nga Rusia. Unë po vazhdoj të besoj se nesër ne do të arrijmë një marrëveshje dhe që Rusia do ta respektojë atë”, tha zyrtari ukrainas.

 

 

Sa i përket palës ruse, pritet që Ministri rus i Mbrojtjes, Sergei Shoigu të udhëtojë drejt Turqisë për të nënshkruar marrëveshjen për eksportet detare të grurit, raporton Reuters.

Shoigu do të takohet me Ministrin ukrainas të Infrastrukturës, që do të mbikqyret nga Turqia dhe nga Kombet e Bashkuara.