Rritja e rasteve me COVID-19, ministria thotë se nuk pritet ashpërsim i masave

Ndonëse ditëve të fundit në Kosovë është shënuar rritje enorme e rasteve të reja me coronavirus, autoritetet shëndetësorë thonë se nuk pritet të ketë ashpërsim të masave.

Në një përgjigje me shkrim për Telegrafin, nga Ministria e Shëndetësisë kanë thënë se në fuqi do të mbesin masat e miratuara më 30 prill.

“Ministria pranon rekomandime nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës dhe Këshilli i ekspertëve për COVID-19. Aktualisht rekomandimet e këtyre trupave dhe të MSh-së janë që të zbatohen masat në fuqi nga 30 prilli; të bartet maska mbrojtëse në mjedise të mbyllura, qytetarët t’u përgjigjen thirrjeve për vaksinim me të gjitha dozat e lejuara sipas kategorive e grupmoshave të popullatës, ndërsa ata me simptoma të testohen”, thuhet në përgjigjen e ministrisë.

Sipas këtij institucioni, numri në rritje i rasteve me COVID-19 aktualisht nuk po rezulton me rritje të madhe të numrit të personave me forma të rënda dhe që kërkojnë tretman spitalor.

“Sidoqoftë, ndërmarrja e çfarëdo mase varet nga rekomandimet që japin ekspertët dhe bazuar në treguesit shëndetësorë ku hyn edhe numri i pacientëve që kanë nevojë për tretman spitalor apo mjekim intensiv, numri i vdekjeve, numri i vaksinimeve, etj”

Tutje, thuhet se rritje të ngjashme të numrit të të infektuarve ka edhe në shumë shtete, por që “shumica prej tyre janë të kujdesshme sa u përket masave të cilat janë proporcionale me ashpërsinë e varianteve në qarkullim dhe me ngarkesën që sjellin për spitalet rastet e reja”.

Ndërsa, të pyetur për masat që kanë ndërmarrë për menaxhimin e situatës me pandeminë, nga MSh-ja përmendën shtimin e kapaciteteve spitalore, rritjen e numrit të testimeve dhe gjurmimeve të kontakteve dhe sigurimin e vaksinave anti-COVID.

 

“Hapat e ndërmarrë kanë të bëjnë me mobilizimin e kapaciteteve spitalore në Shërbimin Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës si dhe spitale të përgjithshme, rritjen e numrit të testimeve dhe gjurmimit të kontakteve, sigurimin e vaksinave të mjaftueshme kundër COVID-19, lejimin e vaksinimit me dozën e IV-të të personave mbi 60 vjeç dhe, gjithashtu, lejimin e vaksinimit të fëmijëve prej 5-11 vjeç me doza pediatrike të siguruara bashkë me materialet e përshtatshme për administrimin e dozave për fëmijë të kësaj grupmoshe”.

Gjithashtu, thuhet se për të gjithë personat mbi 12 vjeç është lejuar vaksinimi me tri doza.