Mërgimtarët edhe të martën vizituan Kuvendin – Deputetët e PDK-së vlerësojnë kontributin e tyre në shtetndërtim

Për dy ditë më radhë, Kuvendi i Republikës së Kosovës ka qenë i hapur për bashkatdhetarët të cilët dëshirojnë t’i vizitojnë hapësirat e këtij institucioni. Ky aktivitet është tashmë tradicional dhe organizohet në kuadër të javës “Bashkatdhetarët në Kuvend”,

konomia Online.Me këtë rast, deputeti i PDK-së, Hajdar Beqa, tha se mërgimtarët luajnë rol të madh në historinë e Kosovës, duke përfshirë edhe themelimin e institucioneve.

“Është kënaqësi t’i presësh mërgimtarët. Normalisht se ata emocionohen kur vinë në Kuvendin e Kosovës, sepse mërgimtarët kanë dhënë shumë për themelimin e këtyre institucioneve. Nuk ka kuptim historia e Kosovës pa angazhimin e tyre sepse kanë qenë promotorë në çdo ngjarje të Kosovës, duke përfshirë luftën e fundit, luftën e Ushtrisë Çlirimtare”.

Tutje, Beqa vlerësoi edhe mbështetjen financiare të mërgimtarëve si dhe aktivizmin e tyre, teksa tha se ata presin vigjilencë dhe efikasitet nga institucionet e Kosovës.

“Mërgimtarët kanë qenë edhe mbështetje financiare maksimale por edhe aktiv, kemi dëshmorë, kemi heronj e martir që kanë ardhë prej shteteve të ndryshme. Andaj, mërgata dëshiron t’i shoh institucionet e Kosovës me vigjilente, më efikase dhe vendin me një zhvillim ekonomik më të hovshëm. Mërgata e Kosovës sjell jetë jo vetëm këtu në parlament por në gjithë Kosovën”, tha Beqa.

Ndërsa, një mërgimtar që po vizitonte Kuvendin, tha se kjo vizitë është me rëndësi sepse i jep mundësinë ta shoh nga afër vendin ku merren vendimet, si dhe kërkoi vendime që përmirësojnë mirëqenien e qytetarëve.

“Është shumë me rëndësi që edhe ne ta shohim këtë sallë ku janë deputetët shqiptarë, që japin mendimet e tyre për çështjet madhore të Kuvendit”.

“Bëj thirrje për vendime të qarta për gjendjen shëndetësore, sepse shoh se ka mungesa në rrjetin social shëndetësor. Populli duhet të shërohet dhe kontrollohet pa para”.

Tutje, ky mërgimtar, bëri thirrje që të rinjtë mos ta lëshojnë Kosovën, raporton EO.

“Çështja ime ka qenë politike në kohën kur e kam lëshu Kosovën, prej Serbisë, por nuk do të thotë që rinia duhet ta bëjë këtë”.

Deputeti tjetër i PDK-së, Rashit Qalaj, tha se mërgimtarët kanë dëshirë të njoftohen me problemet, proceset dhe funksionimin e Kuvendit.

‘Po i presim vëllezërit dhe motrat tona që kanë ardhë në Kosovë, që dëshirojnë t’i vizitojnë ambientet e Kuvendit të Kosovës dhe të bisedojnë me deputetët qe janë në sallë. Ata dëshirojnë të njoftohen me problemet, proceset që janë duke u zhvilluar dhe funksionimin e Kuvendit”.

Ndërsa, një tjetër vizitor i Kuvendit, nga Finlanda, tha se është kënaqësi ta vizitojë këtë institucion, për të cilin u shpreh se “duket më i madh në televizor”.

“Ndihem i privilegjuar qe jam në parlamentin e Kosovës. Është kënaqësi të jesh në kuvendin e vendit ku ke lindë, edhe pse unë jam ne asamblenë komunale në Finlandë që dy mandate. Kuvendi po duket më i vogël sesa në televizor”, u shpreh ai.