Çka po ndodh me ‘Adem Jasharin’ në Mitrovicë: Pse s’po ecin punimet në ndërtimin e stadiumit

Edhe institucionet publike ndërtojnë pa leje. Stadiumi Olimpik “Adem Jashari” në Mitrovicë që nisi së rindërtuari në vitin 2020, nuk dihet se kur do të jetë i gatshëm për zhvillmini e ndeshjeve. Kjo pasi punët aty janë ndalur pasi kanë filluar pa leje, shkruan Periskopi.

Më 16 maj të këtij viti, Ministri i Kulturës ka folur për neglizhencën e punimeve që po bëhen në rindërtimin e stadiumit në Mitrovicë. Ai kishte thënë se kanë hasur në disa pengesa ligjore që po e pengojnë vazhdimin e punimeve.

“Në stadiumin “Adem Jashari” në Mitrovicë kemi hasur në një pengesë ligjore, një çështje pronësore e cila na është prezantuar me vonesë dhe po trajtohet ai ngërç ligjor të cilin duhet patjetër ta tejkalomë për të vazhduar më tutje punime , ndërsa dinamika e punimeve për ne nuk është e kënaqshme. Ne po bëjmë gjithçka që të sigurohemi që ai stadium të përfundojë sa më parë”, kishte thënë Çeku.

 

 

Por, kjo nuk dukej që ishte krejt e vërteta e prezantuar nga ana e ministrit.

Periskopi ka parë që më 21 prill 2022, Inspektorati i Ministrisë së Mjedisit e ka urdhëruar Ministrinë e Kulturës që menjëherë të ndërpresë të gjitha aktivitete e ndërtimit në Objektin e Stadiumit “Adem Jashari” në Mitrovicë, pasi punët kanë qenë duke u realizuar pa leje.

“Inspektorati i MMPHI ka zhvilluar vizitë inspektuese me datë 12 prill 2022 në objektin e Stadiumit të qytetit  “Adem Jashari”. Me rastin e inspektimit, kemi konstatuar se punëkryesi Kompania “H& b Consulting” shpk ka filluar aktivitetin ndërtimor ën rindërtimin dhe renovimin e  stadiumit me investitor Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, pa u pajisur me leje ndërtimore”, thuhet në vendimin e inspektoratit të datës 21 prill.

 

 

ka dërguar pyetje para pak ditëve në MKRS, nëse ky institucion ka aplikuar për leje të ndërtimit. Ata kanë konfirmuar se kanë nisur procedurat për plotësuar këtë ngërç ligjore, por se akoma nuk kanë përfunduar.

“Ministria e Kulturës, Rinise dhe Sportit, pas ndërprerjes se punimeve për shkak te mos pajisjes me leje ndërtimore ne vitin 2019 kur ka filluar ky projekt, menjëherë ka nisur kontaktet me Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës dhe Komunën e Mitrovicës për pajisje me leje. Aktualisht po zhvillohen procedurat e pajisjes me leje dhe në këtë proces aplikimi formal do të behet ditëve ne vazhdim pas definimit te disa aspekteve procedural ndërmjet MKRS dhe Komunës se Mitrovicës, të cilat, është dashur te kryhen ne vitin 2019”, ka bërë të ditur për Periskopin zyra për marrëdhënie me publikun e MKRS-së.

MMPHI nuk është përgjigjur se në cilën fazë ndodhët procesi për pajisje me leje dhe nëse ka probleme në këtë drejtim.

“Kompetentë për lëshimin e lejes ndërtimore në këtë rast është MMPHI. Sipas Ligjit të Ndërtimit, neni 19, Ministria ka kompetence për lëshimin e objekteve ndërtimore të kategorisë së III. Nga faktet e lartcekura, konstatojmë se investitori, respektivisht puënkryesi kanë bërë shkelje të Ligjit të Ndërtimit nr. 04/L-110, neni 14, 19, 24, 26 dhe neni 15, pika 1.3 të Udhëzimit Administrativ Nr 05 /2017, të fillimit të punimeve pa u pajisura me leje ndërtimore”, thuhet në vendimin e inspektoratit për pezullimin e ndërtimeve.

“Inspektorati i MMHI, duke u bazuar nga konstatimet e lartcekura, urdhëron investitorin MKRS që të zbatojë urdhëresën sipas dispozitave të këtij vendimi, në të kundërtën do të marrë masa sipas dispozitave në fuqi”, ka shkruar tutje inspektorati, i cili është treguar i butë me ministrinë, Kjo pasi objekti është në ndërtim e sipër në katin e tretë pa leje dhe po të ndodhtë tek ndonjë investitorë privatë, do të aplikohej dënimi, konfomë Ligjit të Ndërtimit.

Rindertimi i stadiumit “Adem Jashari” ka nisur në gjysmën e vitit 2020.

Punimet fillimisht kanë nisur nga pjesa e brendshme e stadiumit, duke bërë rregullimin e fushës, demolimin e tribunave si dhe pjesët e tjera brenda këtyre hapësirave. Ishte thënë se renovimi i stadiumit “Adem Jashari”, pritet të përfundohet brenda 18 muajve, i cili do t’i kushtojë 12 milionë euro.