Zhvillimi i sektorit financiar përmes teknologjisë, krejt çka tha Kusari-Lila në diskutimin për Projektligjin për kriptovalutat

Sot në Kuvendin e Kosovës u mbajt dëgjimi publik për Projektligjin për kriptoasetet.

Si kryesuese e grupit punues për këtë projektligj, Mimoza Kusari-Lila në fjalën hyrëse prezantoi objektivat e Komisionit për Ekonomi për këtë projektligj si dhe procedurat nëpër të cilat do të kalojë projektligji, deri në miratimin final në Kuvendin

“Para të pranishmëve prezantova se qëllimi i kësaj iniciative është në zhvillimin e mëtutjeshëm të sektorit financiar përmes teknologjisë, si dhe zhvillimin e profileve tjera që do të ndihmojmë implementimin e kësaj teknologjie në digjitalizimin e sferave tjera të shoqërisë. Digjitalizimi është tema numër një për te gjitha shoqëritë e zhvilluara, prandaj ne synojmë të jemi ne hap me zhvillimet aktuale.

Jemi të vetëdijshëm se  kemi të bëjme me një lëmi të re, shumë komplekse dhe të diskutuar botërisht në mënyre kontraverse, si dhe per faktin se, zbatimi i këtij Ligj do të përfshijë një numër institucionesh. Andaj, jemi të gjithë bashkë, sektor publik dhe privat, që në suaza të procesit të draftimit dhe pastaj zbatimit të ligjit, të bëjme optimalen në rregullimin e sektorit dhe tërheqjen e investimeve të brendshme dhe të jashtme.

Iniciativa jonë ka lindur fillimisht nga nevoja e vendosjes së rregullit në sektorin e kriptoaseteve, si treg deri me tani i parregulluar. Ne ndërkohë ideja ka evaluluar dhe pastaj jemi përqendruar edhe ne çështjet zhvillimore sektoriale, përkatësisht në zhvillimin e profileve të reja profesioniste si dhe në hapjen rrugë të zhvillimit të sektorit bashkë me profilet tjera të shumta të biznesit.

Ky projektligj përmban dispozita që mbulojnë procedurat e licencimit të operatorëve të angazhuar në ketë treg, dispozita për organizimin e operatoreve të tregut, mbikëqyrjen e këtij tregu nga institucionet, mbrojtjen e konsumatorëve, transparencën e operimit si dhe mbrojtjen nga praktikat abuzive në treg.

Ky projektligj, përveç çështjeve rregulluese ka për qëllim të hap tregun për investime në lëminë e tregtimit të kriptoaseteve si dhe emetimit të kriptoaseteve. Lidhur me emetimin e kriptoaseteve, kemi nevojë për konsulta të mëtutjeshme para se të përfshijmë dispozita të cilat e rregullojnë çështjen e emetimit

Të pranishëm në takim sot ishin përfaqësues të bizneseve, përfaqësues të ARKEP-it, Administratës Tatimore, Doganave të Kosovës, Njësisë së Intelegjencës financiare dhe përfaqësues nga sektori i IT-së. Përfaqësuesit e Bankës Qendrore të Kosovës përkundër që e kishin konfirmuar pjesëmarrjen, nuk ishin prezent në dëgjim publik.

Pas komenteve dhe sygjerimve të dhëna nga ata që ishin prezent, të pranishmëve ju komunikuam se komentet dhe sygjerimet me shkrim për këtë draft të parë të projektligjit mund ti përcjellin me shkrim deri me 25 Korrik, ora 16:00 në emailin zyrtar të Komisionit për Ekonomi”, ka shkruar Kusari-Lila në Facebook./Indeksonline/