11 vjet pas hartimit të raportit të Dick Marty me pretendimet se UÇK ka kryer krime kundër njerëzimit, Partia Socialiste ka depozituar në Kuvend një rezolutë kundër këtij raporti. Rezoluta do t’i dorëzohet në shtator Këshillit të Evropës të cilit i kërkohet të distancohet nga akuzat e Marty të paprovuar nga hetimet ndërkombëtare.
Ashtu siç ishte paralajmëruar nga kryeministri shqiptar Edi Rama, Partia Socialiste me firmën e 11 deputetëve ka depozituar një Kuvendin e Shqipërisë një projektrezolutë kundër raportit të Dick Martyt mbi luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
PS kujdeset të evidentojë se 11 vite pas hartimit të raportit të Dick Martyt, asnjë nga pretendimet e ngritura prej tij në raport, nuk është vërtetuar. Sipas Partisë Socaliste pas 10 vitesh hetime është konstatuar, se raporti i Dick Marty ‘për vrasje të personave me qëllim të nxjerrjes dhe shitjes së organeve të tyre dhe trafikim të paligjshëm të organeve njerëzore në Shqipëri dhe/apo në Kosovë’, mbeten të paargumentuara, të paprovuara dhe të pabazuara në prova dhe fakte e, për rrjedhojë, duhet të konsiderohen si të tilla nga të gjitha institucionet kombëtare e ndërkombëtare.
Për këtë, PS propozon “Rezolutë mbi pabazueshmërinë e pretendimeve për trafikimin e e paligjshëm të organeve njerëzore në Kosovë dhe Shqipëri”, ndërsa i kërkon KE-së që të realizojë një raport vijuese dhe si rrjedhojë rishikimin e rezolutës së Dick Martyt në 2011.
Lënda: Depozitohet propozimi për një “Rezolutë mbi pabazueshmërinë e pretendimeve për trafikimin e e paligjshëm të organeve njerëzore në Kosovë dhe Shqipëri”
Të nderuar anëtarë të Kuvendit të Shqipërisë. Në vijim të qëndrimeve tona të kahershme për vlerësimin e legjitimitetit të luftës heroike e çlirimtare të UÇK dhe duke rishprehur qëndrimin tonë se nuk mund të vendosen paralele midis masakrave çnjerëzore, spastrimeve etnike, deportimeve, vrasjeve, përdhunimeve, plaçkitjeve dhe krimeve të luftës, nga drejtues dhe anëtarë të makinerisë zyrtare luftarake serbe dhe paramilitarët e saj gjatë luftës në Kosovë, nga njëra anë, dhe integritetit e kauzës së drejtë të luftës së UÇK si reagim në mbrojtje të jetës dhe lirisë të popullit në Kosovë, nga ana tjetër.
Bazuar në parimin se çdo dyshim për krime duhet zbardhur nga organet e drejtësisë sipas parimeve të procesit të rregullt ligjor dhe se nuk mund të ketë çështje pafundësisht në hetim por dhe se çdo proces do duhet të mbarojë dikur, me qëllim që popujt të gjejnë focën të pajtohen e jetojnë së bashku duke shëruar plagët e së shkuarës.
Konstatojmë se pas më shumë se dhjetë vitesh hetime të thelluara nga Task Forca Hetimore Speciale e BE dhe pasardhësja e saj, Zyra e Prokurorit të Specializuar, pretendimet e ngritura në Raportin e Dick Marty (Doc. 12462, datë 7 janar 2011), asokohe anëtar dhe raportues i Komitetit për Çështje Ligjore dhe të Drejtat e Njeriut në APKiE, “për vrasje të personave me qëllim të nxjerrjes dhe shitjes së organeve të tyre dhe trafikim të paligjshëm të organeve njerëzore në Shqipëri dhe/apo në Kosovë”, të përfshira në Rezolutën 1782 (2011) të APKiE, pika 1 dhe pika 4, mbeten të paargumentuara, të paprovuara dhe të pabazuara në prova dhe fakte e, për rrjedhojë, duhet të konsiderohen si të tilla nga të gjitha institucionet kombëtare e ndërkombëtare.
Për këtë qëllim propozojmë këtë “Rezolutë mbi pabazueshmërinë e pretendimeve për trafikimin e e paligjshëm të organeve njerëzore në Kosovë dhe Shqipëri”, ku i kërkojmë Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës të realizojë një raport vijues (Folloë up Report) dhe si rrjedhojë dhe një rishikim të Rezolutës 1782 (2011), duke rivlerësuar pretendimet për trafikim të paligjshëm të organeve njerëzore në Shqipëri dhe/apo në Kosovë, në dritën e zhvillimeve që kanë ndodhur gjatë kësaj dekade, fakteve, provave dhe informacioneve të përditësuara, sikurse dhe përsa i përket angazhimit, gatishmërisë dhe bashkëpunimit të plotë të Shqipërisë dhe Kosovës në shërbim të së vërtetës dhe vendosjes së drejtësisë.
Gjithashtu i kërkohet Qeverisë shqiptare të mbetet plotësisht e përkushtuar për të ndihmuar drejtësinë dhe identifikuar përgjegjësinë për të gjitha krimet e kryera në ish-Jugosllavi dhe përsërit thirrjen e tij për të gjithë të interesuarit që të bashkëpunojnë me Mekanizmin Ndërkombëtar për kryerjen e funksioneve të mbetura të gjykatave penale (IRMCT), brenda juridiksionit të saj. Kjo projekt-Rezolutë, për të cilën besojmë se do të kemi mbështetjen e të gjithë anëtarëve të Kuvendit të Shqipërisë, rikonfimon edhe një herë sikurse në rastet e mëparshme, vullnetin e palëkundur për të ndihmuar drejtësinë dhe mbështetur çdo përpjekje që synon të zbulojë të vërtetën. Taulant BALLA, Mimi KODHELI, Klotilda BUSHKA, Etilda GJONAJ, Blendi KLOSI, Etjen XHAFAJ, Petro KOCI, Hatixhe KONOMI, Bardhyl KOLLCAKU, Ilir PENDAVINJI, Arben PËLLUMBI
Raporti i vitit 2011 i Dick Mart, asokohe anëtar dhe raportues i Komitetit për Çështje Ligjore dhe të Drejtat e Njeriut në Asamblenë Parlamentarë të Këshillit të Evropës ngre pretendime për trajtim çnjerëzor të personave dhe trafikim të paligjshëm të organeve njerëzore që dyshohen të jenë kryer nga pjestarë dhe drejtues të UÇK, për të cilat hetuesit ndërkombëtar nuk kanë gjetur prova.