Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, Rrahman Jasharaj, me një adresim drejtuar mediave, ka kritikuar qeverinë e vendit duke thënë se ajo nuk po e percepton realitetin e krijuar në vend.
Jasharaj tha se qeveria e vendit ka krijuar një realitet virtual kinse kemi rritje ekonomike, të hyra buxhetore më të mëdha, e që në fakt këto nuk ekzistojnë.
Sipas udhëheqësit sindikal, dyshja Albin Kurti dhe ministri i Financave Hekuran Murati, nuk po i marrin parasysh dhe nuk po i dëgjojnë kërkesat e sindikatave, dhe ata po u thonë se “nuk i japim pesë pare për juve”
Ai u bëri thirrje qeveritarëve që para pushimeve verore të reflektojnë dhe të bëjnë diçka për punëtorët e të gjitha sektorëve të punës në vend.
Jasharaj paralajmëroi se para muajit shtatorë kjo qeveri do të marrë një “goditje” të fortë ku thuajse të gjithë sektorët e administratës shtetërorë do të hyjnë në grevë.
Njoftimi i plotë:
Qeveri gishtin në kokë se çmimet në qiell e pagat përtokë
Qeveria Kurti është e vetmja që jeton jashtë realitetit sepse ka krijuar me rrjete sociale një realitet për veti dhe nuk i ndal lëvdatat për arritjet që nuk ekzistojnë , për ngritjen ekonomike që nuk është dhe për buxhetin më të latë në gjithë vitet e pasluftës, që bazuar në sjelljet e veprimet e shefit të kuletës, Hekuran Murati , nuk është.
Qeverisë Kurti sindikatat i dërguan letra për takime. I dërguan mesazhe me protesta e greva se janë shumë të pakënaqur dhe se kanë kërkesa të anëtarësisë që duhet realizuar . I dërguan edhe ndërmjetësuesin ligjor për dialog, që i ngjason atij plakut pleqnar në kohët e Kanunit kur përplaseshin dy fise dhe ata, edhe pse nuk kishin shumë shkollë e nuk kishin lexuar shumë libra sa Albini, pranonin pleqnarët dhe uleshin për të gjetur zgjidhje. Kurtit, Muratit e disa qeveritarëve të tjerë nuk u kanë lënë përshtypje gjithë këto angazhime të sindikatave e as ky pleqnari bashkëkohor e ligjor dhe në këtë mënyrë ata duke mos ndjerë nevojë as të deklarohen sepse vota e madhe e popullit ua ka trullosur kokën dhe mendjen, po thonë se nuk japim as pesë para për sindikatat dhe të tjerët .
Kjo qeveri nuk është duke jetuar me realitetin dhe as nuk po e ndjen sfidën që të punësuarit në sektorin publik e në atë privat po përballën me ngritjen e vazhdueshme të çmimeve të artikujve elementar dhe se ata ishin të varfër e po bëhen gjithnjë e më skamnorë.
Qeveria Kurti pa shkuar nëpër pushime duhet t’i vë gishtin kokës sepse çmimet kanë shkuar deri në qiell e pagat kanë mbetur në tokë. Qeveria as nuk po ngrit pagat , as nuk po fton në takime sindikatat për të bashkëbiseduar, as nuk po i fton ato për t’u marrë vesh për Ligjin e pagave. Qeveria po sillet se vetëm Kurti e Murati ekzistojnë në këtë nënqiellin e Kosovës. Mirëpo le ta dinë deputetët e pozitës, të opozitës dhe i gjithë populli i Kosovës së angazhimit të sindikata për dialog u ka ardhur fundi. Ata pasi dërguan edhe plakun, pra ndërmjetësuesin ligjor për dialog , e qeveria nuk u lodh as për këtë angazhim të sindikatave për dialog, atëherë para shtatorit do të shohim reagimet e forta të sindikatave, kurse populli le ta di se në shtator çerdhet, shkollat, pastaj edhe Universitetet dhe administrata në komuna , por edhe të punësuarit në sektorë të tjerë do të jenë në grevë të përgjithshme e cila do të jetë deri sa Qeveria Kurti të ndërrojë qasjen e të kuptoj se duhet të ulet me sindikatat të gjej zgjedhje. E zgjedhja është e munduar sepse Kurti Muarati kanë thënë me plot gojën se ka ngritje të latë ekonomike, ka rritje të lartë të të hyrave dhe se buxheti është më i larti në 22 vitet e lirisë së Kosovës.