Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, deklaroi se Kosova është në ditët më të vështira të stresit social dhe ekonomik që nga paslufta.
Krasniqi theksoi se për një kryeministër të përgjegjshëm në këto rrethana krize, nuk do të duhej të kishte shumë vend për konferenca shtypi nga selia e partisë, sepse detyra e parë e tij është mandate përballë qytetarëve, e jo defilimi përballë militantëve.
“Por, ai që refuzon të përgjigjet e të mbajë përgjegjësi për dështimet përballë qytetarëve, gjithmonë do ta kërkojë shpëtimin diku tjetër.Kosova është në ditët më të vështira të stresit social dhe ekonomik që nga paslufta. E duke qenë i paaftë për përgjegjësitë e një kryeministri, Albin Kurti po kërkon t’i ikë ballafaqimit me gjendjen, duke e shitur si “ngjarje” për popullin, mbajtjen e një procesi të rëndomtë zgjedhor të subjektit të tij politik”,
Krasniqi theksoi se mbajtja e zgjedhjeve brenda Vetëvendosjes është pjesë e demokracisë, por “ngjarja e vërtetë” është kriza që ka përfshirë gjithsecilën familje në vend.
“Komoditeti për t’u angazhuar në zgjedhje të brendshme në rrethanat aktuale të krizës së përgjithshme ekonomike, i shkon për shtati pikërisht një kryeministri të këtillë, i cili merret me zgjedhje në parti, sepse s’ka kurrfarë zgjidhje për popull. Fatkeqësisht, ai jo vetëm që s’ka zgjidhje për krizën, por nga paaftësia e tij qeverisëse, është duke i kontribuar edhe më shumë asaj”, shtoi ai.
Sipas Krasniqit, në këto rrethana, qytetarëve iu duhet një kryeministër që mendon për zgjidhje të problemeve e jo për zgjedhje partiake.
“Prandaj, kryeministri duhet ta rikthejë fokusin e të përqendrohet për të marrë masa të qëndrueshme për t’ua lehtësuar qytetarëve të vendit tonë ballafaqimin me këtë krizë ekonomike gjithëpërfshirëse e të kudondodhshme”.