Për herë të parë në histori, vlera e monedhës euro është barazuar me dollarin. Ky barazim i monedhave ka pasur ndikim edhe tek paratë e qytetarëve të Kosovës. Nga Trusti kanë treguar detaje për këtë çështje.
Barazimi i monedhës euro me dollarin amerikan ka qenë padyshim lajmi më i komentuar i ditëve të fundit. Shumë kush ka pyetur se çfarë ndikimi do të ketë kjo në paratë që kanë në banka dhe të ruajtura në institucione të tjera.
Një sqarim për këtë çështje e kanë dhënë edhe nga Fondi i Kursimeve Pensionale të Kosovës.
Jeton Demi, menaxher i Marrëdhënieve me Publikun në këtë institucion, ka treguar se rënia e euros ka pasur ndikim edhe tek paratë që kosovarët kanë në Trust, por sipas tij ndikimi është pozitiv.
“Portofoli investues i FKPK-së rezulton se ka përfituar nga forcimi i dollarit amerikan kundrejt euros. Kjo meqë në fund të vitit 2021 FKPK-ja i kishte rreth 16% të mjeteve apo rreth 370 milionë euro investime direkte aktive në fondet investuese të denominuara në dollarin amerikan. Dollari amerikan është përforcuar me rreth 14% që nga fillimi i vitit 2022. Tutje, përgjatë vitit 2022 investimet e FKPK-së në dollarin amerikan janë rritur, dhe më 30 qershor 2022 ekspozimi direkt në të ka arritur në 21.3% e mjeteve ose në rreth 470 milionë euro”, ka thënë Demi.
Ndërsa, sipas tij, shpërndarja e mjeteve të investuara të FKPK-së, sipas valutave në fund të tremujorit të parë 2022, ishte ndarë në përqindje të ndryshme.
“Në Euro shpërndarja e mjeteve të investuara ka qenë për 45.2 për qind. Në dollarë 44.8 për qind. Në Funta Britanik 3.8 për qind dhe në disa valuta të tjera në përqindje me të vogla”.