Ministri i Kurtit: Asociacioni s’është temë në Qeveri

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi ka folur për çështjen e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.

Krasniqi ka thënë se Asociacioni është njëra prej temave që është aktuale në studiot televizive, por jo në MAPL apo në Qeveri.

“Asociacioni është njëra prej temave që është shumë aktuale, por është aktuale në studiot televizive dhe jo në ministrinë ku unë punojë ose jo edhe në Qeveri. Kjo është një e vërtetë”, ka deklaruar në emisionin “Këndi i Debatit” në Tëvë1.

Ai thotë se MAPL-ja ka pasur ministër që nuk e ka njohur Kosovën dhe sipas tij, asnjëherë nuk ka qenë prioritet avancimi i nivelit lokal por agjenda e tyre politike.

“Unë kur kam pranuar detyrën kam bërë një skenim të situatës bashkë me kolegët dhe shumë mirë me një pjesë të stafit me punu sepse për një kohë shumë të gjatë ata kanë pasur ministër të cilët nuk e kanë njohur Kosovën. Nuk bën me nënvlerësu këtë fakt dhe si i tillë asnjëherë nuk ka qenë avancimi i nivelit lokal ose avancimi i politikave që mbështet nivelin lokal prioritet i tyre por agjenda e tyre politike”, tha Krasniqi.