Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i ka bërë thirrje sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, që Kosova të përfshihet në mekanizmin e Partneritetit për Paqe.
Në konferencën për media, pas takimit me Stoltenbergun në Bruksel të mërkurën, Rama ka thënë se e di që ka kufizime politike për çështjen e Kosovës, megjithatë ka thënë se pranimi i saj në mekanizma ndërkombëtarë është gjë e mençur.
“Pata shansin t’ua përsëris atë që e kam thënë edhe në Samit, nevojën për ta konsideruar përfshirjen e Kosovës në Partneritetin për Paqe, edhe pse e dimë se ka kufizime politike nga disa aleate dhe e dimë se është organizëm konsensual. Megjithatë, me kohët që jetojmë, në këndvështrimin tim, është e mençur që kjo të konsiderohet”, ka thënë Rama.
Rama ka thënë po ashtu se Shqipëria, si vend aleate e NATO-s, do të luajë rolin e saj për paqe rajonale. Ka shtuar se “është me rëndësi të vijohet dialogu i përhershëm me të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë Serbinë që s’është pjesë e aleancës, por pjesë e rajonit”.
“Është e rëndësishme të vazhdojmë bashkëbisedimin tonë kundrejt situatës dhe detyrimeve që kemi në Ballkanin Perëndimor, që të parandalojmë çdo përshkallëzim, e të parandalojmë çdo ndikim të keq që të kthehet në probleme për rajonin tonë”, ka thënë Rama.
Ndërkaq sekretari Stoltenberg ka thënë se dera e NATO-s është e hapur dhe se ajo përkrah të drejtën e çdo vendi për ta zgjedhur rrugëtimin e vet. Ai ka përgëzuar Shqipërinë për ratifikimin e shpejt të protokolleve për anëtarësimin e Finlandës dhe Suedisë në NATO. Ka përsëritur se “Ballkani Perëndimor ka rëndësi strategjike për NATO-n”.
Partneriteti për Paqe është program i bashkëpunimit dypalësh ndërmjet shteteve partnere euroatlantike dhe NATO-s. Sipas NATO-s, ky program ka për qëllim të rrisë stabilitetin, të ulë kërcënimet për paqe dhe të ndërtojë raporte më të forta të sigurisë mes partnerëve dhe aleancës.