Ministria e Tregtisë angazhon një ekspert të LDK-së

Ministria e Tregtisë e ka angazhuar përmes një kontrate publike për shërbime në cilësinë e ekspertit në fushën e temperaturës, Musa Misinin, një funksionar të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Misini, një aktivist i Lidhjes Demokratike të Kosovës në Komunën e Vitisë dhe ish-kandidat për deputet në zgjedhjet nacionale të vitit 2016, është angazhuar nga Ministria e Tregtisë në cilësinë e “ekspertit profesional vendor, për fushën e temperaturës”.

Sipas kontratës së publikuar në e-prokurimi, Misini do të paguhet në shumën prej 1,400.00 euro për ofrimin e shërbimeve në një fushë të caktuar për MINT.

Sipas njoftimit të Zyrës së Prokurimit në Ministrinë e Tregtisë, oferta e Musa Misinit është vlerësuar me çmimin më të ulët të përgjegjshëm, që ka qenë kriteri kryesor për dhënien e kontratës.

I angazhuari sot nga ministria e udhëhequr prej Rozeta Hajdarit, dikur nga zyrtarët e partisë në pushtet cilësohej si “militant” i cili vihej në funksion të Lidhjes Demokratike të Kosovës për “kapjen e bordeve të institucioneve publike”.

Kur Musa Misini ishte emëruar kryesues i Bordit të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) më 2020, me vendim të ish-kryeministri Avdullah Hoti, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Artan Abrashi e kishte akuzuar ish-qeverinë për kapjen e bordit të ndërmarrjes.

“Vazhdon kapja e bordeve nga koalicioni i pushtetit, kësaj radhe ne KEK”, kishte deklaruar Abrashi. “Natyrisht, anëtaret e rinj janë militantë aktiv të partive të pushtetit”.

Misini ishte shkarkuar nga pozita në bordin e KEK-ut me vendim të Qeverisë “Kurti I”.