“Zëra të vetmuar të BE-së”/ Deputetja e LDK-së: Osmani t’i përmend me emra shtetet, nuk ka çfarë fshihet për vizat

Liberalizimi i vizave vazhdon të jetë një nga çështjet më aktuale.

Derisa në samitin e fundit të BE-së për Ballkanin Perëndimor pritej një vendim pozitiv për vizat për Kosovën, një gjë e tillë nuk ndodhi.

Ndërsa dje, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se ka disa shtete të BE-së, siç i ka quajtur ajo “zëra të vetmuar në BE”, që duan ta kthejnë procesin e vizave në pikën zero, për çka ka thënë se është e papranueshme për Kosovën.

“Sa i përket liberalizimit të vizave, ne presim që BE-ja të marrë masa sepse i kemi plotësuar kushtet. Janë disa zëra të vetmuar në BE që thonë ‘ta kthejmë procesin në zero dhe ta rivlerësojmë’. Kjo për ne është e papranueshme. Imagjinoni sikur edhe vendet tjera të jenë të detyruara ta bëjnë këtë. Ne kemi qenë të detyruar që t’i përmbushim 94 kushte, pra më shumë se vendet e tjera. Ajo që kemi nevojë tani është që Komisioni Evropian të thotë ‘PO’. Ne duam të jemi optimistë dhe shpresojmë që liberalizimi i vizave të ndodh sa më shpejt”, tha Osmani.

Lidhur me këtë, Rrezarta Krasniqi, kryetare e Komisionit për Integrime Evropiane, ka thënë për  se presidentja Osmani është dashur t’i tregojë me emra shteteve që ajo i referohet si zëra të vetmuar, pasi nuk ka çfarë të fshihet për këtë çështje, derisa Kosova i ka plotësuar të gjitha kriteret.

“Në rastin konkret të cilit i referoheni, Presidentja Osmani është dashur të përmend me emra zërat që ajo i referohet si të vetmuar, sepse nuk ka çfarë të fshihet karshi çështjes së liberalizimit të vizave, për çka ne si vend i kemi plotësuar të gjitha kriteret e përcaktuara nga BE për lëvizje të lirë dhe mos heqja e regjimit të vizave është një padrejtësi e madhe që po i bëhet qytetarëve tanë”, thotë Krasniqi.

Për  ajo shton se kundër vizave për Kosovën është lobuar edhe në të kaluarën, derisa për këtë duhet angazhim më i madh nga qeveria.

“Ajo që dihet është se edhe në të kaluarën është lobuar kundër Republikës së Kosovës dhe proceseve me rëndësi jetike për vendin, prandaj në këtë kontekst institucionet tona, në këtë rast qeveria është dashur të angazhohet më tepër për të bindur të gjitha vendet anëtare të BE-së se ne meritojmë lëvizje të lirë”, potencon deputetja e LDK-së, Rrezarta Krasniqi.