Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka përkujtuar 5 korrikun e vitit 1990, kur forcat serbe kishin okupuar Radio Televizionin e Prishtinës.
Krasniqi, në rrjetin social Facebook, ka thënë se pamjet e sjelljes brutale të policisë serbe, të 5 korrikut 1990, gjatë zbatimit të masave të dhunshme ndaj Radio Televizionit të Prishtinës nga qeveria e Serbisë, mediumit të parë në gjuhën shqipe, janë pasqyra e mendësisë e cila shënonte fillimin e fundit të okupimit.
“Sulmet ndaj fjalës së lirë të medias në gjuhën shqipe dhe krijimit të territ informativ, me masa të pashembullta represive të qeverisë së atëhershme të Serbisë, dëshmonin se liria nuk ishte larg. Ndikimi i RTP-së në atë kohë ishte shumë i madh, andaj, edhe sot, shprehim nderim për të gjithë ato gra e burra që krijuan kulturën e komunikimit me qytetarët, duke ia trupëzuar me fjalë e me pamje interesin jetik të rezistencës deri në çlirim.”, ka thënë Kryetari Krasniqi. Në fund, Kryetari i PDK-së ka shkruar se për kontribuesit e RTP-së do të ketë nderim dhe respekt të përjetshëm. “Nderim i përjetshëm për kontribuuesit e RTP-së, të cilët me emisionet me vlerë të çmuar kanë qenë pranë të vërtetës, duke artikuluar interesin nacional për liri të qytetarëve të Kosovës kundër një regjimi gjakatar në rrugën e pakthyeshme të kapitullimit!”, ka shkruar Krasniqi.