Kryeministri Kurti në Greqi: Me Scholzin në Berlin e Biden në Shtëpi të Bardhë mund të rigjallërojmë urën transatlantike

Kurti: Me Scholzin në Berlin e Biden në Shtëpi të Bardhë mund të rigjallërojmë urën transatlantike.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një panel në Greqi, ka thënë se ka shpresë të madhe në udhëheqjen e kancelarit gjerman Olaf Scholz dhe politikave të tij drejt Ballkanit Perëndimor. Në këtë drejtim, ai tha se Scholz në Berlin dhe presidenti Biden në Washington do t’i japin frymë të re raporteve transatlantike.

“Zgjidhja për Ballkanin Perëndimor sigurisht që është Bashkimi Europian dhe deri atëherë neve na duhet Procesi i Berlinit me një fillim të ri nga kancelari Scholz dhe kam shpresë të madhe në udhëheqjen e tij. Me presidentin Biden në Shtëpi të Bardhë dhe me kancelarin Scholz në Berlin ne mund të rigjallërojmë urën transatlantike që në shekullin 21 është më e rëndësishme sesa ishte në shekullin 20”.

Kurti e bëri këtë deklaratë derisa po fliste për rreshtimin e Europës krah Ukrainës dhe refuzimin e Serbisë që të renditet në këtë anë.

“Një nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor nuk iu bashkua sanksioneve kundër Rusisë, fqinji ynë verior Serbia, por përkundrazi ata kanë lidhje të forta mes vete në ekonomi, ushtri”.

Kryeministri kosovar tha se për t’i përqafuar vlerat europiane rajoni i Ballaknit Perëndimor duhet ndihmë edhe nga vetë Unioni.

“Neve na duhet ndihmë nga jashtë, por ne duhet të sjellim vlerat europiane përgjithmonë, duke bërë reforma demokratike si prioritete drejt stabilitetit demokratik”.

Kurti tha se në këtë kohë kur në Ukrainë po ndodh një agresion i paprovokuar, në Europë nuk duhet të ketë vend për neutralitet, raporton Gazeta Express.

“Që nga dita e parë kemi dënuar agresionin rus në Ukrainë. Nga këndvështrimi ynë, ajo që shohim është fashizmi rus…Besoj që agresioni i Kremlinit në Ukrainë ka qenë zgjedhje, por solidariteti dhe humanizmi në Europë nuk është çështje e zgjedhjes. Është detyrë e jona”.

Kurti i bëri këto deklarata në një panel të përbashkët me kryeministrin malazez, Dritan Abazoviq dhe me ish-kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, në temën “Europa juglindore: A mund të ketë stabilitet dhe prosperitet në rajon?” në Greqi.

Ndërkaq, fjalimin e tij e nisi duke lavdëruar të arriturat e Perëndimit në Kosovë me ndaljen e luftës dhe vetë sukseset e Kosovës tani.

“Kosova është një storie suksesi i intervenimit të NATO-s në vitin 1999 për të ndalë gjenocidin e Serbisë dhe në këtë mënyrë të mundësojnë kthimin e refugjatëve dhe të rindërtojmë vendin tonë. Dhe së dyti, Kosova është një storie suksesi për rritjen ekonomike dhe demokracinë”.