Mediumi opozitar serb: Vuçiq i mban me anestezion serbët e Kosovës

Para çdo koncesioni, para çdo suspendimi të shtetit të Serbisë në territorin e Kosovës  ka një retorikë luftarake nga krerët e pushtetit në Serbi. Kur zhvilloheshin bisedimet e para për energjinë, ata thanë “Nuk e japim Gazivodën”. Sapo zyrtarët tanë thonë “nuk japim” diçka, dihet që do të ajo do të jepet të nesërmen, shkruan mediumi serb “Danas”, që njihet për opozitën që ia bën Presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq.

Ish-ministri për Kosovë në Qeverinë e Serbisë dhe nënkryetari i SDS-së, Goran Bogdanoviq, që dikur ka shërbyer edhe si Ministër në Qeverinë e Kosovës, ka thënë se është shqetësuese që regjimi i Vuçiq përmend luftë në Kosovë.

“ Është shumë shqetësuese dhe e rrezikshme në këto kohë kur kemi një krizë në Evropën Lindore, konfliktin mes Rusisë dhe Ukrainës, është të përmendet një lloj “Stuhie” dhe luftëra në Kosovë. Kjo krijon frikë dhe ankth tek ata pak serbë që kanë mbetur në Kosovë. Nuk është aspak e këndshme të dëgjosh fjalë të tilla, sidomos nga një president të cilit, për fat të keq, shumë serb i besojnë” ka thënë Bogdanoviq.

“Danas” rikujton se arsyeja e fundit e frikësimit dhe retorikës luftarake nga kreu i shtetit ishte vendimi i autoriteteve të  që të gjitha tabelat aktuale që përdorin serbët  të zëvendësohen me ato të Republikës së Kosovës.

Kjo gazetë shkruan se deklaratat e Presidentit, Kryeministrit dhe disa ministrave të Serbisë, në të cilat dëgjoheshin fjalët “dëbim”, “Stuhi e re” apo “klithmat e fëmijëve”, u vlerësuan si lojë e papërgjegjshme me serbët që jetojnë në Kosovë, por kjo është përsëritur çdo herë kur marrëdhëniet Prishtinë-Beograd “acaroheshin” duke marrë ndonjë vendim teknik në dëm të serbëve.

Mediumi beogradas shkruan se situatat që përcillen me tregime nxitëse për një luftë të re, qoftë nga zyrtarët tanë më të lartë apo tabloidet proqeveritare, kanë nisur pas vendimit të Kosovës për taksën 100 për qind ndaj produkteve serbe, pas vendimit për të kaluar kufirin me letërnjoftim dhe pas vendimit për ndërrimin e targave të veturave. E njëjta gjë u bë e ditur pas nisjes së trenit që u ngjyros  me “vendet e shenjta serbe dhe me mbishkrimin “Kosova është Serbi” në dhjetëra gjuhë, si dhe pas shëtitjes së Thaçit në Gazivodë dhe Vuçiqit “Nuk do ta jap Gazivodën”.

Bashkëbiseduesit e Danas pajtohen se me deklarata të tilla po tentohet që serbët e Kosovës të përgatiten të pranojnë një tjetër vendim apo koncesion të pashmangshëm ndaj Prishtinës.

“Histori të tilla shfaqen para koncesioneve. Ky është një mesazh për serbët, “të qetësoheni, mos krijoni tensione, se mund t’ju ndodhë një “Stuhi” (Oluja), që proceset që janë konceptuar të zbatohen sa më pa dhimbje, përsërit Bogdanoviq.

Ai shton se shumica e serbëve në Kosovë e përkrahin pa rezerva Aleksandar Vuçiqin.

“Çfarëdo që të bëjë, po ta njihte tani pavarësinë e Kosovës, askush këtu nuk do të bënte më “hë”. Sepse kur SNS-ja dhe Vuçiqi erdhën në pushtet, ai shkatërroi çdo shpresë dhe energji, nevojën për një lloj rezistence me strukturat e tij kriminale, me anë të  presioneve, kërcënimeve, shantazheve. Pra këtu serbët heshtin dhe një pjesë e mirë e serbëve po largohen nga Kosova. Ata që ishin në prag të vendimit e morën vendimin për largim, gjë që është shkatërruese” thekson Bogdanoviq. Sipas tij, vendimi për targat, si të gjitha vendimet tjera, ishte i njohur edhe më parë “nga mediat kosovare dhe deklaratat e politikanëve por atë askush nuk e përmendi.

Avokati Marko Jakshiq, dikur bashkëpunëtor i ngushtë i  Oliver Ivanoviqit të vrarë, thotë se retorika e Aleksadri Vuçiqit, i cili shumë shpesh e përmend “Stuhinë” e re, nuk është gjë tjetër veçse një manipulim apo një spin tjetër që ai përdor në qeverisjen e tij dhjetëvjeçare “bazuar në gënjeshtra dhe mashtrime të mëdha për të hedhur pluhur në sytë e mbështetësve të tij”.

Deklaratat e udhëheqësve në Serbi që paralajmërojnë konflikte të reja, dëbime dhe luftëra, shpesh përsëriten dhe si rrjedhojë ata ngacmojnë dhe frikësojnë njerëzit që jetojnë në Kosovë dhe Metohi. Pas frikësimit, zakonisht pason pranimi i vendimeve të marra në Prishtinë, thekson Dusan Janjiq nga Forumi për Marrëdhënie Etnike.

“Deklaratat dramatike janë një strategji tashmë e parë dhe krahas zgjedhjeve dhe zakonit të sundimit nga frika, shërbejnë për të ruajtur status quo-në, por edhe për të ndryshuar situatën në terren. Dhe situatën në fushë në fakt e ndryshon Prishtina dhe del me avantazh nga loja, sepse përfiton nga politika e reciprocitetit” thotë Janjiq.