Vazhdon dhënia e barnave pa recetë, anti-depresivët po shiten me të madhe

Zëvendëskryetarja e Odës së Farmacistëve të Kosovës, Dardana Mehaj, deklaroi për se ende qëndron si problematik ofrimi i ilaçeve pa përshkrim të mjekut

“Po ka shumë lloje të barnave që vijnë vetë qytetarët në barnatore pa rekomandim të mjekut fillimisht, mirëpo farmacisti është ai i cili duhet të shpjegojë që cili bar merret pa recetë dhe cili jo dhe çka duhet me ju japë. Mundet të vetë mjekohet pacienti sepse ka raste kur ka ndonjë ftohje e lehtë apo ndonjë simptomë e lodhjes, ndërrimi i stinëve, merren edhe terapi që nuk kanë nevojë për përshkrim të mjekut, mirëpo ka raste kur barnat duhet patjetër të përshkruhen me recetë dhe farmacisti ato që janë të ndaluara me ligj nuk duhet t’i japë”, ka thënë Mehaj.

Mehaj pranoi se në vazhdimësi ka qytetarë të cilët kërkojnë medikamente kundër dhimbjeve pa recetë të mjekut. Sipas saj, duhet të kuptohet ilaçi pa rekomandim të mjekut mund të jetë i dëmshëm për përdoruesin.

“Çdo ilaç që abuzohet më të, merret pa rekomandim të mjekut, mund të pësojnë efekte anësore. Në secilin bari përshkruhet në udhëzimin që e kanë brenda, përshkruhen edhe efektet anësore të atij bari. Po ashtu detyrë e farmacistit është t’ia përshkruajë pacientit”, theksoi Mehaj.

Edhe përdorimi i antibiotikëve nuk mund të bëhet pa rekomandimin e mjekut pasi paraprakisht kërkohet një analizë fillestare për shkak të efekteve anësore që mund të shkaktojnë.

Ndërsa antidepresivët janë një nga llojet e barnave të cilët kërkohen më së shpeshti në farmaci e që janë të ndaluara të shiten pa recetën e mjekut.

“Barna psikotrope nuk jepen assesi pa recetën ose barnat që i quajnë me recetën e kuqe apo pullë të kuqe… mandej antidepresivët nuk merren pa recetë, ka edhe shumë barna të tjera që nuk duhen assesi të shpërndahen nëpër barnatore pa recetë”, vijojë Mehaj.

Kryetari i Shoqatës për Mbrojtjen e të Drejtave të Pacientëve, Besim Kodra ka thënë për KosovaPress se shitja e medikamenteve pa recetë është shqetësuese dhe dëmton shëndetin e pacientëve, gjersa shtoi që inspektorati farmaceutik nuk po e mbikëqyrë punën nëpër barnatore.

“Padyshim është shqetësues sepse përdorimi i barnave është i madh edhe ato që i shkruajnë stafi shëndetësor përshkruhen shumë barna dhe në anën tjetër pacientët janë të lirë të shkojnë të marrin pothuajse çdo lloj barne në barnatore pa asnjë problem. Edhe pse kjo me ligj është e ndaluar për disa barna nuk mund të shiten pa recetë megjithatë këtu shkelet në të dyja anët dhe inspektorati farmaceutik nuk është ai i cili po e mbikëqyrë punën e barnatoreve të cilët po u shesin pacientëve barna edhe pa recetë. Duhet të ketë një inspektim më të madh dhe duhet të ndalet shitja e barnave më të madh për shkak se ajo e dëmton shëndetin e pacientëve në masë të madhe”, u shpreh Kodra.

Edhe Mehaj mendon se farmacistët nuk janë të vetmit që duhen fajësuar në këtë rast.

“Ekziston udhëzimi administrativ për receta por fatkeqësisht nuk implemetohet edhe në këtë rast duhet organet kompetente, Ministria e Shëndetësisë, AKPM-ja, Inspektorati farmaceutikë të merren me miratimin e këtij udhëzimi dhe jo gjithmonë të gjendet faji tek barnatoret”, ka shtuar ajo.