Sallahu takohet me shefin e EULEX-it, flasin për shumëçka

Zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu ka bërë të ditur se sot u takua me shefin e Misionit EULEX në Kosovë, Lars-Gunnar Wigemark.

Ai tha se bashkë biseduan për projektligje të rëndësishme, përfshirë edhe Opinionin e Komisionit të Venecias për Vettingun në sistemin e drejtësisë.

Postimi:

Në kuadër të takimeve të rregullta që realizojmë si Ministri e Drejtësisë, takova Shefin e Misionit EULEX në Kosovë, z. Lars-Gunnar Wigemark, me ç’rast diskutuam për projektligjet e Shërbimit Korrektues e atij Sprovues, pastaj për miratimin e Ligjit për Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit si dhe për Opinionin e Komisionit të Venecias për Vettingun në sistemin e drejtësisë – nevojën dhe modalitetet e tij.

Po ashtu, në takim tjetër zhvilluam diskutime edhe me përfaqësues të ambasadës britaneze e me të Qendrës Aire, të cilët i informova për rrugën përpara dhe planin që do ndjekim pas opinioneve pozitive të Komisionit të Venecias për Vettingun dhe Byronë e Konfiskimit të Pasurisë së Pajustifikueshme.

Produktiviteti ynë rritet kur në nismat tona i kemi përkrah edhe fasilituesit e mbështetësit e vazhdueshëm, në funksion të realizimit më të mirë të atyre iniciativave.