Kryeministri Edi Rama diskutoi sot me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski për samitin e ardhshëm të BE-së.
Në një postim në rrjetet sociale, Rama shkruan se “i gjithë unioni i marrë peng nga Bullgaria nuk është një spektakël i mirë për t’u parë”.
“Ne diskutuam gjatë sot me liderët e Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut për Samitin e ardhshëm të BE-së. Duket se një tjetër ‘Jo, më fal!’ do të jetë ajo që do të dëgjojmë në fund! I gjithë Unioni i marrë peng nga Bullgaria nuk është një spektakël i mirë për t’u parë! Çfarë do të bëjmë atje?!”, tha Rama.
Në 23 qershor në Bruksel, pritet të mbahet Samiti BE – Ballkani Perëndimor.
Konferenca e nivelit të lartë me Ballkanin Perëndimor do të mbahet një ditë para sesionit të Këshillit të BE-së, që pritet të vendosë për integrimin e vendeve të rajonit.
Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut presin hapjen e negociatave, gjë e cila kërkon heqjen e vetos nga Bullgaria.