Shqipëria kryeson Këshillin e Sigurimit, Rama: Plotësisht të angazhuar për paqe dhe drejtësi

Shqipëria sot merr presidencën e Këshillit të Sigurimit në Nju Jork, për ta vijuar për një muaj.

Kryeministri Edi Rama ka ndarë në llogarinë e tij në Facebook një video-mesazh për këtë ditë të rëndësishme për vendin.

Ai ka thënë se drejtësia dhe paqja ecin krah për krah dhe Shqipëria mbetet plotësisht e angazhuar në këtë drejtim.

“Kombet e Bashkuara nuk kanë vlerë më të lartë për të promovuar sesa drejtësia dhe sundimi i ligjit. Shqipëria e promovon atë kombëtarisht dhe e mbron ndërkombëtarisht. Drejtësia dhe paqja ecin krah për krah dhe Shqipëria mbetet plotësisht e angazhuar në këtë drejtim. Jemi të privilegjuar që u japim zë bindjeve tona e do ta drejtojmë Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara me të gjithë vullnetin e pasionin tonë për ato çka besojmë fort”, tha Rama.

Rama tha po ashtu se në dekadën e tretë të mijëvjeçarit të tretë, bota është e trazuar nga 50 konflikte përreth globit, dhe se plagët e luftërave janë ende të hapura.

“Në Evropë, plagët e luftërave që pasuan shpërbërjen e ish-Jugosllavisë, sidomos në Kosovë, janë ende të hapura. Po bëjmë gjithçka mundemi për të ecur përpara pa e harruar të shkuarën, por duke u angazhuar për ndërtimin e një të ardhmeje të përbashkët në paqe. Lufta e Rusisë në Ukrainë ka sfiduar sigurinë evropiane dhe ka tronditur rendin botëror bazuar në rregulla. Ne nuk mundemi e nuk duhet të mësohemi me pandëshkueshmërinë. Është urgjente të veprojmë, tani, për viktimat e panumërta të konflikteve të pakuptimta, por edhe për ne, të gjithë, për atë çka besojmë, për atë çka na bën bashkë, për të mbrojtur ligjin, për të ruajtur veprimin shumëpalësh”, ka thënë ai.

Karshi kësaj, kryeministri shqiptar tha se të gjithë kanë një rol për të luajtur dhe një pjesë për të përmbushur.

“Kjo është arsyeja pse ngjarja e parë përfaqësuese e Shqipërisë në presidencën e saj të parë të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, që do të kem nderin të kryesoj më 2 qershor, i kushtohet ‘Forcimit të llogaridhënies dhe drejtësisë për shkeljet e rënda të së drejtës ndërkombëtare’”, ka shtuar ai.