Edhe një grup afganësh largohen nga Kosova për në SHBA

Pas përfundimit të të gjitha kontrolleve mjekësore e atyre të sigurisë, edhe një grup afganësh janë larguar nga Kosova për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës përgjatë së mërkurës.

Kështu ka bërë të ditur ambasada e SHBA-së në Kosovë nëpërmjet në njoftimi në ‘Facebook’, të cilët falënderuan Kosovën për strehimin e tyre.

“Pasi plotësuan të gjitha kontrollet e sigurisë dhe ato mjekësore, një grup tjetër afganësh u nis nga Kosova sot për në Shtetet e Bashkuara. Falë bujarisë së Kosovës, mbi 600 afganë të pritur përkohësisht në Kampin Liya/Bondsteel janë larguar dhe do t’u ofrohet një shans i dytë për të ndërtuar jetë të reja në SHBA. Faleminderit Kosovë!”, thuhet në njoftimin e tyre.

Përpara dy ditësh, Departamenti amerikan i Shtetit ka bërë të ditur se disa afganëve, të strehuar përkohësisht në Kosovë, u është refuzuar hyrja në Shtetet e Bashkuara, për shkak se të njëjtit nuk kanë kaluar procesin e verifikimit.

“Përderisa shumicës së udhëtarëve afganë në kuadër të grupit OAW [Operacioni për mirëpritjen e aleatëve] u është lejuar hyrja në Shtetet e Bashkuara përmes procesit tonë të verifikimit, përfshirë edhe shumicën e afganëve në Kosovë, një numër i vogël i individëve të cilët nuk e kanë kaluar procesin, shërben si shembull se sistemi po punon siç duhet. Departamenti, në fund të fundit, e vlerëson me prioritet më të lartë sigurinë e popullit amerikan”, bëri të ditur një zyrtar i DASH-it.