Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, ka folur para të pranishmëve në protestën e punëtorëve të sektorit publik.
Jasharaj ka thënë se Qeveria po e sheh tani se nuk po flasin individët, por po flasin punëtorët e Kosovës.
Ai madje i bëri thirrje Kurtit edhe të kthehet nga Amerika.
“Qeveria po e sheh se nuk po flet Atdhe Hykolli e Rrahman Jashari, por po flet punëtoria e Kosovës. Qeveri, këta janë njerëzit tu, është turp të qëndroni nën hije, e në Amerikë, e të mos vini këtu, e ta thuani të vërtetën para këtyre njerëzve që po rrijnë në diell”, tha Jasharaj.
Jasharaj paralajmëroi edhe grevë të përgjithshme në rast se nuk ka reflektim nga Qeveria ndaj kërkesave.
“Në të kundërtën, pas kësaj proteste, do të ketë veprime edhe më të rënda, që ne nuk i duam, por ju siç duket po i doni. Heshtja e Qeverisë, nënkupton se ata e dijnë që ne kemi të drejtë. Ne duam Ligj të Pagave, por jo Ligj që na e punon dikush, por që e punojmë edhe ne”, tha Jasharaj.
“Ose do të bisedojmë, ose do të shkojmë në greva të përgjithshme”, tha Jasharaj.