PSD-ja aksion simbolik tek ZRRE-ja, kërkon dorëheqjen e bordit pas vendimit të Apelit

Partia Socialdemokrate, gjatë ditës së sotme ka zhvilluar një aksion tek Zyra e Rregullatorit për Energji, ku ka kërkuar dorëheqjen e bordit pas vendimit të Gjykatës së Apelit për të anuluar vendimin e ZRRE-së për shtrenjtimin e rrymës.

Nol Nushi, anëtar i kësaj partie, ka thënë se, ZRRE-ja është fjatori kryesor pse çmimi është i pa përballueshëm për qytetarët.

“Jemi këtu në zyrat e rregullatorit të energjisë së Kosovës apo të fajtorit kryesor pse çmimi është i lartë dhe i papërballueshëm për qytetarët”.

Tutje ai ka shtuar se, qysh nga fillimi, ata kanë deklaruar se rritja çmimit të rrymës, sipas tyre, ka qenë edhe i padrejtë por edhe korruptiv.

“Ne e kemi thënë që nga fillimi që rritja e çmimit të rrymës është edhe e padrejtë edhe koruptive, kurse dje u vërtetua që është edhe kundër ligjore. Ne kemi qenë një vend eksportues dhe jo importues dhe megjithatë ne kemi paguar rrymën dy e trefish më shtrenjtë”, ka shtuar Nushi.

Ai ka vazhduar duke thënë se, ende nuk dihet se ku po shkojnë 100 milionë euro që janë ndarë për KEDS-in, subvencionim i cili, sipas Nushit ka qenë jo transparent.

“Subvencionimi prej 100 milionë euro që i është bërë KEDS-it është jo transparent dhe ne ende nuk e dimë se ku po shkojnë ato para. Nëse ajo shumë nuk kthehet i bjen hajni e pastër në kurriz të qytetarëve në dobi të një korporate private”, ka thënë tutje Nushi.