Ambasadori i Kosovës, Lulzim Pllana, po qendron në Salzburg të Austrisë, ku po përcjell gjendjen e të lënduarve atje pas aksidentimit të një autobusi me udhëtarë kosovarë.
Në një prononcim për platformën Albinfo, Pllana konfirmoi se gjendja e të lënduarve është jashtë rrezikut për jetë.
Ai është shprehur se disa prej tyre kanë marrë lëndime serioze, kurse 7 prej udhëtarëve janë liruar për rrugëtim të mëtejshëm.
Sipas mediumit, të lënduarit janë duke u trajtuar në Spitalin Qendror të Salzburgut.
Ambasadori ka bërë të ditur se është duke bërë përpjekje për t’i vizituar personalisht, por për shkak të masave të pandemisë që janë ndaj vizitorëve nëpër spitalet austriake, nuk e di nëse janë të lejueshme.
Shkaqet e aksidentit, sipas autoriteteve austriake, janë teknike, por ende nuk ka një raport të detajuar për ta vërtetuar një gjë të këtillë.