Në objektin e shtëpisë së shëndetit në Zhitkovc të komunës së Zveçanit në veri të Republikës së Kosovës, përveç flamurit serb e rus, shihet edhe flamuri i Republikës Popullore të Kinës.
Në këtë objekt, është shkruar edhe emri i kriminelit serb të luftës Ratko Mlladiq.
Fotografitë janë bërë sot në veri të vendit, ku janë rritur tensionet veçmas që nga koha e agresionit rus në Ukrainë.
Në disa vendbanime të tjera të komunave me shumicë serbe në veri, ditët e para të agresionit rus në Ukrainë është shfaqur shkronja Z, simbol luftarak rus.
Komunat veriore të Republikës së Kosovës, të banuara me shumicë serbe, udhëhiqen nga politikanë serbë të lidhur me pushtetin në Beograd.
Nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radojçiq, është njeriu më me ndikim në këtë pjesë. Vitin e kaluar, ai dhe partneri i tij në krim te organizuar e biznes, Zvonko Veselinoviq, janë përfshirë në Listën e Zezë të Departamentit të Thesarit të SHBA-së.