Policia e Kosovës në rajonin e Prizrenit ka arrestuar sot ish-mësuesin nga Prizreni,i dyshuar për pedofili.
70 vjeçari, Fazli Kikaj është arrestuar nga autoritetet hetuese në vend, pas publikimeve në të cilat dëshmohej për përfshirjen e tij në pedofili.
Lajmi për arrestimin e tij për lajmi.net është konfirmuar nga zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prizrenit, Vesel Gashi.
“U konfirmoj se i dyshuari F.K, është arrestuar dhe shoqëruar në polici. I njëjti me vendim të Prokurorit të Shtetit është ndaluar për 48 orë. Rasti po hetohet nga hetuesit rajonal në Prizren.”, theksoi ai.
Ndryshe gjatë ditës së djeshme, Prokuroria Themelore në Prizren ka njoftuar se tashmë kanë filluar hetimet lidhur me publikimet që kishin të bënin me rastet e pedofilisë, e në të cilat i përfshirë ishte ish-mësuesi F.K.
Dy ditë më parë, në emisionin “Piranja” të ABC News Albania u raportua për rastin e 70 vjeçarit nga Prizreni.
I njëjti ishte arritur të zbulohej përmes rrjeteve sociale, ndërsa vetë ai në një reagim dje tha se kjo nuk është e vërtetë teksa këshilloi qytetarët që të mos “komentojnë palidhje”.