Që nga muaji shkurt E- kiosqet nuk janë duke funksionuar në Prishtinë dhe në komunat e tjera përreth.
Mosfunksionimi i tyre ka ndikuar edhe në krijimin e radhëve të gjata të pritjes së qytetarëve për t’u pajisur me dokumente.
Zyrtarë të Komunës së Prishtinës, thonë se kjo po ndodh për shkak të disa ndryshimeve që janë bërë në certifikata nga Ministria e Punëve të Brendshme.
Mosfunksionimi i E-kiosqeve është një problem me të cilin po përballen qe një kohë të gjatë qytetarët e Prishtinës dhe të komunave përreth.
Qytetarët ankohen për pritje të gjata nëpër sportele. Ata thanë për Radio Kosovën se pajisja me dokumente të identifikimit po u merr shumë kohë.
“Shërbimi themelor s’po punon. S’po kemi qasje në to. Po maltretohemi merr numër, prit në rend, shumë maltretim. Për të tri vajzat kam ardhur t’i marr certifikatat sepse më duhen për udhëtim, e-kiosku s’po punon e tash duhet të hy të pres në rend për m’u pajisë me to. E-kiosqet kanë qenë shumë praktike, sepse edhe mbas orarit të punës mund të kryenim punë. Tash që s’punojnë shumë keq”, tha njëri nga qytetarët.
Bersant Beka, drejtor i Administratës në Komunën e Prishtinës, tha se E-kiosqet nuk janë duke funksionuar që nga muaji shkurt. Sipas tij, kjo po ndodh për shkak të disa ndryshimeve që janë duke u bërë në certifikata nga Ministria e Punëve të Brendshme.
“Që nga data 25 shkurt e këtij viti E-kisoqet nuk janë në funksion. I kemi kontrolluar dhe kemi shfrytëzuar të gjitha funksionet por kemi dalë pa sukses, pasi që Ministria e Punëve të Brendshme i ka ndaluar dhe për këtë arsye janë jashtë funksionit”, tha ai.
Lidhur me mosfunksionimi i E-kiosqeve, Radio Kosova ka tentuar të kontaktojë edhe me zyrtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme, por ata nuk janë përgjigjur.