Planet për vrasjen e Dick Martyt, BIA serbe i reagon zviceranëve

Agjencia serbe e Informacionit të Sigurisë – BIA, ka dërguar një letër tek Shërbimi Federal i Inteligjencës zvicerane, ku ka dënuar dhe kundërshtuar pretendimet e shërbimit zviceran se BIA ka planifikuar vrasjen e dikujt.

Në një përgjigje për Tanjugun serb, BIA ka reaguar ndaj raportimeve se shërbimet inteligjente zvicerane kanë vënë në mbrojtje ish-raportuesin e Këshillit të Evropës, Dick Marty, pasi që sipas tyre ka rrezik eliminimi nga “qarqe të caktuara të shërbimeve sekrete serbe”.

“Në këto kohë të vështira, pretendime të tilla i shkaktojnë padrejtësisht dëme të pallogaritshme Serbisë dhe reputacionit të BIA-s dhe anëtarëve të saj, të cilët janë të përkushtuar dhe profesionistë në kryerjen e detyrave të tyre të punës, ekskluzivisht në përputhje me ligjin”, thuhet në reagimin e BIA-s serbe.

Ata kanë bërë të ditur se do të vazhdojnë të ruajnë paqen dhe stabilitetin e Serbisë, si dhe qytetarëve të saj.

Kujtojmë se dje është raportuar se shërbimet serbe kanë planifikuar vrasjen e ish-raportuesit të Këshillit Evropian, Dick Marty, i cili kishte hulumtuar edhe krimet e luftës që kishte pretenduar se janë kryer nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës.

Sipas informacioneve të shërbimeve inteligjente zvicerane, faji për vrasjen e Dick Martyt ishte planifikuar t’u lihej shqiptarëve nga Kosova.