Çfarë procedure është iniciar ndaj Ministres Hajdari, flasin nga Prokuroria

Aksidenti që ka shkaktuar ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, është iniciuar në procedurë të kundërvajtjes. Këtë informacion e ka konfirmuar zëdhënësja e Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Laureta Ulaj.

Në një përgjigje me shkrim për Express tha se pasi fëmija është liruar në shtëpi në gjendje të mirë shëndetësore, konform dispozitave ligjore, rasti është iniciuar në procedurë të kundërvajtjes.

“Rastit të cilit i referoheni, ju njoftojmë se pas informimit të prokurores kujdestare nga policia, bazuar në raportin mjekësor se, personi i mitur pasi ka pranuar tretman mjekësor është liruar në gjendje të mirë në shtëpi, konform dispozitave ligjore, rasti është iniciuar në procedurë të kundërvajtjes”, thuhet në përgjigjen e zëdhënëses.

Fëmija është trajtuar në Emergjencë në QKUK, por i njëjti pas trajtimit është liruar në shtëpi.

“U trajtu në Emergjencë dhe ka shku te shpija”, tha për Express Drejtori i Klinikës së Emergjencës Naser Syla.

Aksidentin në fjalë e ka konfirmuar edhe policia në raportin e saj 24-orësh.

“AKSIDENT TRAFIKU ME LËNDIME /Rr. Vicianum, Prishtinë (NN) 10.04.2022 – 12:25. E dyshuara femër kosovare përderisa ishte duke drejtuar veturën, godet viktimën mashkull kosovar. Viktima ka pranuar tretman mjekësor”, thuhet në raportin e PK-së.

Kur aksidenti u raportua në media, pas një kohe ministrja Hajdari doli me një deklaratë me të cilën shkaktoi reagime publike duke thënë se “një fëmijë u përplas në veturën e saj”.

Deklarata e Hajdarit nuk është mirëpritur në publik.

Sidoqoftë, ajo ka thënë se i ka ofruar ndihmë fëmijës dhe ka njoftuar organet kompetente.