Çfarë thonë autoritetet zvicerane për kërcënimet ndaj Dick Martyt, mbrojtjen dhe sigurinë e tij?

Gjatë ditës së djeshme, një hetim ekskluziv nga “Mise au Point” (Fokus) i Televizionit publik zviceran në gjuhën frënge ka zbuluar se që nga dhjetori i vitit 2020, ish-senatori zviceran, Dick Marty është në mbrojtje nga shteti zviceran për shkak të kërcënimeve ndaj tij.

Lidhur me këtë çështje janë deklaruar edhe autoritetet zvicerane. Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm dhe FedPol nëpërmjet një komunikate të përbashkët kanë treguar se kërcënimet serioze ndaj Martyt kanë filluar në dhjetor të vitit 2020.

Sipas kësaj komunikate të autoriteteve zvicerane, në masat e marra përveç aspektit penal, përfshinë edhe sigurinë personale dhe konteksti i kërcënimeve është transnacional, andaj sipas tyre ka edhe komponentë politikë.

Autoritetet zvicerane kanë deklaruar gjithashtu se organe të ndryshme në nivel federal dhe kantonal janë përfshirë në fushat e tyre përkatëse të përgjegjësisë, për të siguruar ish-senatorin Dick Marty.

“Ne mund të konfirmojmë se që nga dhjetori i vitit 2020, duhej të konsiderohej një siutatë serioze kërcënimi kundër z. Dick Marty. Përveç aspekteve të se drejtës penale, çështja përfshin edhe garancinë e sigurisë personale dhe, për shkak të kontekstit të supozuar transnacional, ka edhe komponentë politikë. Prandaj, organe të ndryshme në nivel federal dhe kantonal janë përfshirë në fushat e tyre përkatëse të përgjegjësisë. Në këtë kontekst, Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm, FedPol dhe autoritete të tjera partnere kanë hartuar një sërë masash gjithëpërfshirëse.”, thuhet në këtë komunikatë, transmeton lajmi.net.

Gjithashtu, për të garantuar siguri, FedPol ka marrë masa mbrojtëse që përfshijnë edhe mbrojtjen e afërt në rastet kur Marty del nga shtëpia e tij dhe masa të tjera të mbrojtjes teknike në vendbanimin e tij.

Duke marrë parasysh që masat e sigurisë janë ende në funksion, autoritetet zvicerane nuk kanë dhënë detaje shtesë lidhur me këtë çështje.

“Për të garantuar sigurinë, FedPol ka marrë masa të gjera mbrojtëse bazuar në vlerëzimet e rregullta të situatës, duke përfshirë sigurinë në afërsi të drejtpërdrejtë të z. Marty (kjo përfshin të ashtuquajturën mbrojtje të afërt kur shfaqet në hapësira publike ose masa mbrojtëse teknike në vendmbanimin e tij). Këto masa mbrojtëse janë zbatuar në bashkëpunim me policinë kantonale. Masat e sigurisë dhe mbrojtjes janë ende duke u zbatuar, prandaj – për të mos dëmtuar në mënyrë të panevojshme efiktivitetin e tyre – nuk bëhen të ditura detajet.”, thuhet në komunikatë.

Në anën tjetër, vet Dick Marty është shprehur se: “kërcënimi me sa duket vjen nga qarqe të caktuara të shërbimeve të inteligjencës serbe, të cilët i kërkuan botës së krimit, vrasësve profesionistë, të më likuidojnë thjesht për t’ua vënë fajin kosovarëve. Sa për vrasësit, ata do të ishin pjesë e “botës së krimit”. “Ka veteranë që specializohen në vrasje me urdhër, vrasje të porositura dhe kështu që nuk duhen shumë para për të vrarë dikë”.

Për sulmin e planifikuar, një serb thuhet se ka kontrabanduar armë në Zvicër diku në dhjetor 2020, përcjell albinfo.ch. Për të përfituar nga vëmendja e shtypit lidhur me aktakuzën e Hashim Thaçit, vrasja duhet të paraqitet si t’i atribuohet qeverisë kosovare/shqiptare (ish-UÇK), për ta diskredituar atë ndërkombëtarisht”.