Studim: Rreziku i mpiksjes së gjakut është më i lartë gjashtë muaj pas infektimit me COVID-19

Pas infektimit me Coronavirus, ekziston një rrezik në rritje për të zhvilluar mpiksje të rëndë gjaku në gjashtë muajt e ardhshëm, sugjeron një studim nga Suedia.

Hulumtimi zbuloi se njerëzit në gjendje të rëndë nga infektimi, dhe ata të infektuar gjatë valës së parë, kishin rrezikun më të lartë të mpiksjes.

Kjo nënvizon rëndësinë e vaksinimit kundër virusit, thonë studiuesit.

Mpiksjet e gjakut mund të ndodhin edhe pas vaksinimit, por rreziku është shumë më i vogël, zbuloi një studim i madh në Mbretërinë e Bashkuar.

Njerëzit që kanë pasur COVID-19 kanë më shumë gjasa të zhvillojnë një mpiksje gjaku – veçanërisht pacientët që kanë nevojë për trajtim spitalor. Shkencëtarët donin të zbulonin se kur ky rrezik kthehet në nivele normale dhe nëse ka ndryshuar nga një valë e pandemisë në tjetrën.

Studiuesit gjurmuan shëndetin e pak më shumë se një milion njerëzve që rezultuan pozitivë për Covid midis shkurtit 2020 dhe majit 2021 në Suedi dhe i krahasuan ata me katër milionë njerëz të së njëjtës moshë dhe seks që nuk kishin pasur një test pozitiv.

Pas një infeksioni Covid, ata gjetën një rrezik të shtuar të:

mpiksje gjaku në këmbë ose trombozë e venave të thella (DVT), deri në tre muaj
mpiksje gjaku në mushkëri, ose emboli pulmonare, deri në gjashtë muaj
gjakderdhje e brendshme, si goditje në tru, deri në dy muaj
Kur studiuesit krahasuan rreziqet e mpiksjes së gjakut pas Covid me nivelin normal të rrezikut, ata zbuluan se:

katër në çdo 10,000 pacientë me Covid zhvilluan DVT krahasuar me një në çdo 10,000 njerëz që nuk kishin Covid
rreth 17 në çdo 10,000 pacientë Covid kishin një mpiksje gjaku në mushkëri krahasuar me më pak se një në çdo 10,000 që nuk kishin Covid
Studimi, i botuar në BMJ, tha se rreziku i rritur i mpiksjes së gjakut ishte më i lartë në valën e parë sesa valët e mëvonshme, ndoshta për shkak se trajtimet u përmirësuan gjatë pandemisë dhe pacientët e moshuar kishin filluar të vaksinoheshin nga vala e dytë.

Frederick K Ho, lektor i shëndetit publik nga Universiteti i Glasgow, tha se ky studim “na kujton nevojën për të qëndruar vigjilentë ndaj komplikimeve që lidhen edhe me infeksionin e butë [Covid], duke përfshirë tromboembolizmin”.

Rreziku i mpiksjes së gjakut rritet pas vaksinimit, por “madhësia e rrezikut mbetet më e vogël dhe vazhdon për një periudhë më të shkurtër se ajo e lidhur me infeksionin”, shton ai.