Gjermania ka eksportuar pajisje ushtarake në vlerë prej 122 milionë euro në Rusi, pavarësisht embargos së armëve të Bashkimit Evropian që është në fuqi që nga viti 2014, ndërkohë nëntë vende të tjera anëtare të bllokut evropian po ashtu eksportuan mallra ushtarake gjatë të njëjtës kohë.
Sipas një raporti nga ‘Investigate Europe’, eksportet gjermane të armëve në Rusi midis viteve 2014 dhe 2020 përfshinin automjete të mbrojtjes speciale dhe anije akullthyese, por edhe armë vdekjeprurëse si pushkët.
Zëdhënësja e Ministrisë së Ekonomisë së Gjermanisë, Annike Einhorn, sot u tha gazetarëve se që nga embargoja e armëve të BE-së në vitin 2014, Gjermania nuk ka dhënë asnjë licencë të re për eksportet e pajisjeve ushtarake në Rusi. Por, ajo nuk mundi të vlerësojë dërgesat që vazhduan deri në vitin 2020.
Sipas raportit, në periudhën 2014-2020 të paktën dhjetë vende anëtare të BE-së eksportuan armë në Rusi në një vlerë totale prej 346 milionë euro.
Franca ishte eksportuesi kryesor i armëve në Rusi, me pajisje ushtarake me vlerë prej 152 milionë euro, e ndjekur nga Gjermania me 122 milionë euro dhe Italia me 22 milionë euro.
Pas aneksimit të paligjshëm të Krimesë nga Moska në vitin 2014, BE-ja vendosi të ndalojë eksportin ose transferimin e çdo arme dhe materiali të armëve në Rusi.