Kurti: Sot Ukraina mund ta kuptojë Kosovën dhe epopenë e saj

Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se Kosova i dhuroi botës aktin më të pashembull, familjen Jashari dhe tash kur po ndodhë pushtimi i Ukrainës, është edhe më e qartë vlera dhe rëndësia e epopesë së UÇK-së.

Kurti me rastin e 24-vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në ceremoninë e rreshtimit të njësive ushtarake të FSK-së, e cila u mbajt në kazermën “Adem Jashari”, Prishtinë, Kurit tha se Kosova nuk ka trima pushtimi por dëshmorë çlirimi.

“Ne duam paqe afatgjatë andaj nuk ngutemi e nuk vendosim data përfundimtare. Datat na duhet por në zhvillimin e brendshëm. Së brendshmi na duhet sinqeritet, së jashtmi na duhet reciprocitet”, ka thënë Kurti.

“Jasharët na dëshmuan se vullneti e sjell subjektivitetin. UÇK e çliroi Kosovën, jemi të qartë për këtë pikë. Këto ditë të planetit kur jemi dëshmitar të pushtimit të Ukrainës na sjellin edhe më të qartë vlerën dhe rëndësinë e epopesë së UÇK-së. Vullneti i Ukrainës do ta bëjë të mundur kthjelltësinë e shprehjes botërore. Sot Ukraina mund ta kuptojë Kosovën dhe epopenë e luftën e saj. Urojmë që Ukraina mos të jetë as Bosnje, as Kosovë. Të mos ketë pastrim etnik, as të zhdukur me dhunë, as dhunime seksuale”, ka thënë Kurti.